INSTAT: Ndërtimi e hotelet kanë punë, tregtia e industria shënojnë rënie

schedule14:39 - 15 Dhjetor, 2017

schedule 14:39 - 15 Dhjetor, 2017

Sektori më i suksesshëm në vend ka rezultuar ndërtimi. Por të dhënat e fundit të Institutit të statistikave tregojnë se edhe turizmi është shndrruar në një biznes fitimprurës. Situata nuk paraqitet optimiste në dy sektorë të tjerë të rëndësishëm si tregtia dhe industria.

Pushimet brenda dhe jashtë Shqipërisë janë shndrruar në një biznes fitimprurës për shqiptarët.

Këtë e vërtetojnë edhe shifrat e publikuara nga instituti i statistikave sipas të cilit hotelet dhe agjencitë e udhëtimit kanë shënuar ecurinë më të mirë në tremujorin e tretë të këtij viti. Pozitive janë të dhënat për aktivitetet e shërbimeve.

Në sektorin e hoteleve, Indeksi i shitjeve neto në volum u rrit 17,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rritje 2,5%.

Rritje ka pësuar edhe sektori i ndërtimit. Shitjet shënoi 19 përqind më shumë krahasuar me tremujorin e tretë 2016.

Shifrat nuk janë kaq optimiste për tregëtinë dhe industrinë. Në sektorin e tregtisë, indeksi i shitjeve neto në volum u rrit vetëm 1,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rënie 0,2%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

E vogël është rritja edhe në industri, krahasuar me një vit më parë vetëm 2.2 përqind por rënnia është shumë më e madhe 4,9%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Ky është publikimi i fundit i INSTAT për statistikat afatshkurtra për aktivitetin e shërbimeve dhe prodhimit për tremujorin e  tretë, që janë treguesi më i hershëm i Prodhimit të Brendshëm Bruto./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!