“Inkurajuese sesi BE kalon shpejt nga fjala në vepra”, Rama: Kolegji Europian është më shumë se një universitet

schedule16:38 - 15 Tetor, 2023

schedule 16:38 - 15 Tetor, 2023

 Kolegji i Europës do të çelë nesër dyert në Tiranë, me të parin kampus jashtë BE, duke i hapur dyert njëkohësisht arsimimit të nivelit botëror për studentët shqiptarë.

Në vigjilje të Samitit të liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet nesër në kryeqytet, u zhvillua sot në Shtëpinë e Europës, ceremonia e lançimit të programeve për vitin akademik 2024 – 2025, i cili do të nisë me 31 studentë. Gjatë ceremonisë, Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, njoftoi ndër të tjera edhe nisjen e procesit të aplikimeve online për vitin e ardhshëm akademik për studentët që do të studiojnë në Universitetin Europian të Bryzhit, në kampusin e Tiranës.

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoni së bashku me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.

Rama tha se është inkurajuese të shohësh BE të kaloj kaq shpejt nga fjalët në vepra. Sipas tij Bashkimi Evropian më shumë se sa ekonomia apo tregtia është i rëndësishëm për dijen.

Kryeministri shprehet po ashtu se BE është udhëzuesi më i mirë për një shtet që vjen nga një epokë e errët, për të ndryshuar dhe për t’u bërë një vend me demokratik.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:

Është afër mendsh qe jemi shumë të lumtur sot. Është vërtetë inkurajuese të shohësh BE-në të kalojë kaq shpejt nga fjalët në vepra. Jo fort e zakontë, por është jashtë mase inkurajuese dhe më duhet të them që kjo është diçka që e kemi përjetuar këto vitet e fundit  falë përkushtimit të posaçëm të Presidentes, e cila na ka shoqëruar në momente mjaft të errëta si për shembull kur tërmeti shkatërrimtar goditi Shqipërinë dhe mund të them pa asnjë dyshim që pa të, rrugëtimin ynë për t’u ringritur e për të ndërtuar nga e para më mirë, do të kishte qenë thjesht i pamundur.

Thënë kjo, dua po kështu të nënvizoj sesa e rëndësishme është kjo nismë që merr jetë sot brenda në kohë shumë të shkurtër sepse ne priremi gjithnjë të mendojmë se Europa ka të bëjë me ekonominë,  me financimin, me më shumë qasje në tregun e përbashkët dhe të gjitha këto gjëra janë të vërteta, por unë besoj fort që Europa për ne, më shumë sesa të gjitha këto bashkë, ka të bëjë me dijen, ka të bëjë me të mësuarit sesi të gjitha problemet që kemi trashëguar nga e shkuara t’i zgjidhim, si të gjejmë mënyrën e duhur për të ndërtuar institucionet tona, si të transformojmë atë çka është më e rëndësishmja për një vend të ri, në këtë sfidë si ne, dijen dhe shtetin.

Gjithnjë mendoj sa të bekuar jemi që jetojmë në këtë vend e sa të bekuar jemi që rrethohemi nga Bashkimi Europian. Po të hedhësh një sy në të shkuarën tone, nuk ka shumë arsye për të qenë të frymëzuar apo për të besuar në një të ardhme të shndritshme e nëse ka një arsye, që vende të tjera që vijnë nga një e shkuar e njëjtë e vështirë, nuk e gjejnë dot sepse nuk janë në Europë, – është Europa vetë. Askush nuk mund t’u mësojë vendeve që gjenden në pjesë të tjera të botës që duan të ecin përpara, që duan të transformojnë jetën e tyre duke transformuar shtetet  tyre, duke pasur institucione llogaridhënëse sesi ta bëjnë një gjë të tillë, BE është më i miri që e bën këtë.

Askush, nuk mund ta shoqërojë një vend, që të dalë nga e shkuara e vet e të sigurojë një shtet demokratik e funksional për qytetarët e vet siç bën BE. E di që nuk është aspak e lehtë, nuk ka asnjë mësues që t’i bën nervat copë si BE. Nuk ka asnjë dyshim, ma merr mendja që Kolegji i Europës është në pararojë të kësaj, por nuk ka rrugë tjetër.

Ja pse besoj që ky kolegj është më shumë sesa një Universitet që vjen këtu nga jashtë e që bëhet pjesë e sistemit tonë për të ofruar më shumë mundësi për një arsim të klasit më të lartë për të rinjtë tanë sepse përveç kësaj është edhe një mësim më i thelluar për vetë BE-në për rrugëtimin drejt tij. E për të gjitha këto mendoj se kemi të drejtën sot, që të jemi të lumtur dhe mendoj se shumë më tepër të rinj shqiptarë se 31 të tillë, janë të prirur dhe duan të jenë pjesë e tij. Sigurisht plani është që numri të rritet në vitet në vijim, por numri nuk do të bëhet asnjëherë aq i madh sa ç’është kërkesa për t’u bërë pjesë, çka nënkupton që edhe konkurrenca do të bëhet gjithmonë e më tepër sfiduese./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!