Inkriminimi i parlamenteve në Ballkan, shtetet që u përballën dhe krimineli Sheshel në Serbi

schedule20:14 - 27 Janar, 2021

schedule 20:14 - 27 Janar, 2021

Nga Linda Karadaku

Listat e kandidatëve për deputetë në vendet e Ballkanit janë bërë gjithnjë e më shumë problematike nga zgjedhjet në zgjedhje. Secili nga këto vende ka gjetur mënyrat e veta për t’u përballur me të, dikush me ligj, siç është rasti i Shqipërisë me ligjin për dekriminalizimin, dikush me Gjykatë Kushtetuese, sic është rasti i Kosovës, dikush duke mos u marrë fare me të, sic është rasti i Serbisë. Edhe problemet janë po kaq specifike, që nga përfshirja e kandidatëve në krim të organizuar apo krime të tjera, e deri tek krimet e luftës.

SHQIPËRIA

Problemi e futjes në politikë të personave me rekorde kriminale u shfaq në Shqipëri në pothuaj të gjitha zgjedhjet që nga viti 2009 dhe në dhjetor të vitit 2015, parlamenti miratoi me votat e të dyja palëve, pozitës dhe opozitës, një ligj për dekriminalizimin që ishte nismë e Partisë Demokratike. Kjo bëri që të paktën disa deputetë, kryetarë bashkish dhe zyrtarë të administratës në nivele të ndryshme, të nxirreshin nga sistemi.

Ligji i vitit 2015 ndalon “ҫdo individ, që në të kaluarën është dënuar nga gjykatat vendase apo të huaja, për t’u zgjedhur apo emëruar në funksione publike”. Miratimi i tij u bë nga 131 nga 140 deputetë të pranishëm në parlament.

Përveç ndalimit të përhershëm të personave me dënime të rënda, ligji vendos një periudhë minimale para se të dënuarit për vepra më të lehta të mund të garojnë në poste të tilla. Një zyrtar i shpallur fajtor për korrupsion është i ndaluar të mbajë funksione publike për 20 vjet, ndërsa ata që dënohen për vepra që rezultojnë në burg me dy vjet ose më pak,  ndalohen për 10 vjet.

Por ish-ministri I jashtëm Ditmir Bushati, nga Partia Socialiste, vuri gishtin në plagë, duke kërkuar që të bëhet reformë brenda partive politike për këtë.  ”PS ka përgjegjësi të madhe në shfarosjen e fenomenit të rikthimit në PS të njerëzve me të kaluar të dyshimtë dhe se duhet një reformë politike brenda partive politike, për të sjellë një kulturë të re politike” tha ai.

Ajo që Bushati po vinte në dukje ishte se ligji i dekriminalizimit po vepronte në një mënyrë a në një tjetër për kuvendin apo postet e tjera drejtuese, por jo për partitë, të cilat nuk e kishin përdorur atë për të pastruar radhët e veta. Ambasada amerikane në Tiranë mbështeti miratimin e ligjit në vitin 2015 duke thënë se është është më i ashpri në Europë kundër kriminelëve në politikë.

Por, deklarata, e riparë pas pesë vjetësh, tregon se rruga përpara është e gjatë. Në të theksohet se ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm “për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend.” Me sa dukej, as kur u miratua ligji, nuk pritej që ai do të arrinte ta zhbënte këtë fenomen, por të ulte ndikimin e elementëve të krimit në vend.  Në dhjetor të vitit të kaluar, OSBE ripërsëriti se ligji për dekriminalizimin është themeli për luftë më efikase kundër mashtrimit elektoral dhe pastrimin efikas të listave të kandidatëve nga personat me rekorde kriminale ose që janë nën hetim për krime.

KOSOVA

Në Kosovë, aktgjykimi I fundit I Gjykatës Kushtetuese qartësoi se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës. Vendimi i gjykatës erdhi pasi deputeti Etem Arifi i partisë së ashkalinjve, edhe pse kishte qenë i dënuar me burg me një vendim të formës së prerë kishte kandiduar, kishte hyrë në parlament, ishte betuar si deputet, dhe madje kishte votuar dy qeveri, qeverinë Kurti dhe qeverinë Hoti.

Ky vendim i gjykatës është një precedent për gjithkënd tjetër, në bazë të parimit, që ligji vlen njësoj për të gjithë. Megjithatë listat e partive politike në Kosovë u dorëzuan me problem të ngjashme.  Neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, përcakton qartë kriteret që duhet t’i, përmbushin kandidatët që synojnë të bëhen deputetë dhe vendimi I gjykatës kushtetuese është po aq I qartë.

Në Kosovë, pastërtia e kandidatëve kalon nëpër disa filtra. KQZ-ja iu kërkon të japin opinionin e tyre për 1079 kandidatët, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencinë së Kosovës për Inteligjencë, Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, bazuar në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. I gjithë verifikimi I listave bëhet brenda 48 orësh.

MAQEDONIA E VERIUT

Maqedonia e Veriut ka pasur problemet e veta. Në vitin 2016, ish-polici Johan Tarculovski u zgjodh deputet, edhe pse kishte qenë 8 vjet në burg dhe ishte liruar më pas me kusht, duke mos e kryer deri në fund dënimin me 12 vjet burg. Tribunali i Hagës e dënoi atë për drejtimin e një njësie policie që vrau civilë shqiptarë dhe kreu mizori të tjera në fshatin Luboten afër Shkupit në vitin 2001.

Qeveria e udhëhequr nga VMRO DPMNE në atë kohë, organizoi pritjen e tij si hero në Shkup, kur u kthye nga Haga.  Që prej asaj kohe, Tarculovski u bë ikonë për këtë parti maqedonase, duke mbajtur shpesh fjalime patriotike në mbledhjet dhe tubimet e partisë.  Para ditës së zgjedhjeve, Tarculovski kishte thënë se zgjedhjet do të ishin një “referendum” që do të përcaktonte të ardhmen e vendit pas dy viteve krizë të thellë politike, e cila sipas tij, ishte “imponuar” nga elementë të huaj dhe opozita. Por problemet në Maqedoninë e Veriut nuk mbarojnë me kaq.

SERBIA

Në qershor të vitit të kaluar, më në fund, Vojsllav Sheshel, nuk arriti të hynte në parlamentin serb sepse partia e tij radikale nuk arriti të merrte vota mjaftueshëm të hynte në kuvend. Ultranacionalisti Sheshel i dënuar në vitin 2018 për nxitjen e krimeve në fshatin Hërkovci në vitin 1992, mori vetëm pak më shumë se 2 përqind të votave ndërkohë që pragu elektoral ishte 3 përqind.

Shesheli ka qenë një figurë e rëndësishme në jetën politike në Serbi që nga fillimi i viteve 1990. Ai dhe SRS e tij ishin një faktor në parlamentin serb gjatë qeverisjes së Sllobodan Millosheviçit, duke vepruar si një parti e opozitës dhe ndonjëherë duke qenë pjesë e koalicionit qeverisës.

Ai ishte nënkryeministër nga 1998 në 2000. Në 2003, u dorëzua vullnetarisht në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, ICTY, në Hagë, për t’iu përgjigjur akuzave për kryerjen e krimeve të luftës gjatë luftërave të ish Jugosllavisë të viteve 1990, kur ai ishte një eksponent i flaktë i ideologjisë së Serbisë së Madhe dhe i forcave paraushtarake që luftonin në Kroaci dhe Bosnjë. Gjyqi i tij u zvarrit për vite me radhë dhe nuk filloi deri në vitin 2007. Ndërkohë partia e tij vazhdoi të merrte rezultate të mira në zgjedhje deri në 2014, kur për herë të parë SRS nuk arriti të hynte në parlament.

Atë vit, Sheshel u kthye në Serbi pasi gjykata e Hagës e liroi atë nga paraburgimi gjatë gjykimit të tij dhe e lejoi atë të kthehej në shtëpi pasi ishte i sëmurë me kancer. Në zgjedhjet e parakohshme të 2016-tës, ai u rikthye në parlament.

Në vitin 2016, ICTY e liroi Sheshelin nga akuzat për krime lufte. Por në prill të vitit 2018, pasardhësi i ICTY, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, duke iu përgjigjur një apeli, prishi vendimin dhe e dënoi Sheshelin në mungesë me dhjetë vjet burg për nxitje të krimeve të luftës kundër kroatëve në fshatin Hërtkovci në vitin 1992.

Por për shkak të viteve që kishte kaluar në paraburgim, Sheshel nuk duhej të vuante dënimin. Sipas ligjit në Serbi, nëse një deputet merr një dënim me burg me më shumë se gjashtë muaj, mandati i tij duhet të përfundojë. Por ligji në fakt nuk është zbatuar kurrë për Sheshelin. Ndërkohë që ishte deputet, Sheshel ka mohuar gjenocidin në Srebrenicë,ndër të tjera.

Në Shkurt 2019, ai mblodhi mbështetësit e tij para Gjykatës së Lartë të Beogradit përpara seancës në gjyqin e një ish-polici që akuzohej për masakrën kundër boshnjakëve të Srebrenicës, në fshatin Kravica në vitin 1995. Partia Progresive Serbe në pushtet u krijua nga dy ish-bashkëpunëtorët e ngushtë të Sheshelit, Aleksandar Vuçiç dhe Tomislav Nikoliç, të cilët e lanë më pas dhe formuan parti të re.

Por një tjetër i akuzuar për krime lufte, arriti të hynte në parlament. Svetozar Andric, një ish komandant në Ushtrinë Serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë, u bë anëtar i parlamentit serb. Ai ishte komandant i Brigadës Birac, dhe gjithashtu shef i shtabit të Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës gjatë luftës që zgjati nga viti 1992 në vitin 1995.

Partia e Andriç, Aleanca Patriotike Serbe, doli e treta në zgjedhjet e Qershorit 2020, me 11 deputetë në parlamentin me 250 vende. Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd dorëzoi një ankesë penale kundër Andric në Prokurorinë e Krimeve të Luftës në vitin 2018, duke e akuzuar atë për urdhërimin e dëbimit të boshnjakëve nga qyteti i Zvornikut më 28 maj 1992.

Fondi për të Drejtën Humanitare tha se më 31 maj, 1992, Andriç lëshoi një urdhër për krijimin e kampit të paraburgimit Susica në Vlasenicë. Kampi ekzistonte deri më 30 shtator 1992 dhe gjatë asaj periudhe,  të arrestuarit u rrahën çdo ditë, gratë u përdhunuan dhe rreth 160 të burgosur u vranë.

Nën urdhërat e Svetozar Andric, brigada e tij persekutoi boshnjakët nga më shumë se 20 fshatra në komunën e Vlasenicës në maj 1992. Një vit më vonë, brigada e tij dogji Gobeljen, një nga këto fshatra. Andriç mohoi akuzat për krime gjatë dëshmisë së tij në gjyqin e kriminelit serb të Bosnjës Ratko Mlladiç në Hagë në vitin 2015. Dhe tani, Andriç, është deputet në parlamentin serb!/ Abcnews.al