Barcelona, veç talenteve që prodhon vetë në “La Masia”, mbledh edhe lojtarë nga klube të ndryshme në Spanjë. Një prej tyre është Pedro Gonzales Lopez, i cili konsiderohet si Iniesta i ri. 16-vjeçari është pjesë e Las Palmas dhe më parë ishte testuar nga Real Madridi, por katalanasit u treguan më të shpejte dhe e blenë mesfushorin qendror për 5 milionë euro.
Në verë do të kalojë te Barcelona dhe Pedri, siç edhe e ka emrin sportiv, tregon emocionet kur i thanë se do të jetë pjesë e skuadrës katalanase. “Kur Barcelona më thirri isha shumë i entuziazmuar, nuk dija as çfarë të thosha.
Isha i shtrirë në rezidencën e klubit dhe u hodha nga gëzimi. Më pas i thashë edhe mikut tim Nestor dhe të dy po hidheshim përpjetë”, rrëfen Lopez për LaSexta. Pedri është një nga zbulimet e La Liga 2 dhe pritet të jetë ylli i Spanjës në Botërorin e 17-vjeçarëve.
Ai zbulon edhe lojtarin që është munduar të “imitojë” dhe është një “ish” i Barcelonës. “Iniesta ka qenë gjithmonë referenca ime”, tregon mesfushori, i cili më pas flet edhe për provën te Real Madridi. “Kam bërë një provë me Realin, por isha i pafat atëherë”, thotë Pedri, i cili në të ardhmen sigurisht që do të kërkojë të shijojë “El Clasico”-n në fushë. /abcnews.al