Eksperti i punësimit, Erald Pashaj thotë se përdorimi i platformës MIRA, për informalitetin, është diçka pozitive për të luftuar këtë fenomen në ekonomi.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Pashaj u shpreh se duhet fokus në disa sektorë, ku ka punonjës të padeklaruar.
“Kjo është mënyrë e re për ne, jo për botën. Pra, kontrollet në bazë risku kanë qenë të paktën në 20 vitet e fundit. Me bazë risku, është krejt normale që të ndodhë. Funksionimi, unë gjykoj që duhet të jetë i rregullt. Ka sektorë që janë shumë të rregullt. Ne po flasim, shqetësimi është, a kemi punonjës të padeklaruar fare? Dëmi është i jashtëzakonshëm në ekonomi, por edhe në konkurrencë. Ne jemi tek “A” e kontrollit. Kontrollet kanë shumë elementë. Ne kemi probleme më të mëdha. Ne duhet të fillojmë me disa sektorë, që janë shumë problem, që nuk njohin ligjin e punës dhe ligjet fiskale. E gjithë barra fiskale ka rënë mbi pjesën e rregullt të shoqërisë. Ne kemi një situatë në Shqipëri, të një pabarazie. Sa i përket punësimit, fokusi duhet të jetë tek zona të caktuara, tek biznese të caktuara, masivisht te turizmi, masivisht te ndërtimi”, theksoi ai./abcnews.al