Turizmi dhe investimet do të jenë dy prej shtysave kryesore të rritjes ekonomike për këtë vit. Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75% ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv brenda vitit.
Por sipas kreut të Bankës Qendrore politikat tregtare ndërkombëtare mbeten një risk për ekonominë.
“Perspektiva ekonomike mbetet pozitive. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, i investimeve dhe eksportit të turizmit. Paralelisht me të, edhe punësimi dhe pagat pritet të vijnë në rritje, duke rritur mirëqenien e familjeve. Rritja e ekonomisë pritet të mbetet e qëndrueshme dhe potenciale, çka do të mundësojë një nivel presionesh të brendshme inflacioniste në linjë me objektivin tonë. Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin 3 % gjatë vitit 2025”, tha Sejko.
Guvernatori Gent Sejko tha se u miratuan ndryshimet në rregulloren për kreditë konsumatore. Më anë këtyre ndryshimeve, kreditë deri në 2 milionë lekë do të kenë kosto më të lira për qytetarët.
“Ndryshimet rregullative konsistojnë në disa ndryshime që kanë të bëjnë me uljen e mëtejshme të normës së interesit për kreditë konsumatore nga institucionet bankare dhe jo bankare. Gjithashtu edhe për një kufizim në komisionet e aplikuara, nga këto institucionet financiare bankare dhe jo bankare lidhur me kredinë konsumatore, dhe gjithashtu disa ndryshime që kanë të bëjnë me transparencën në raport me marrëdhëniet që kanë huamarrësit për kredinë konsumatore në institucionet banka dhe jo banka”.
Për sa i përket luhatjes së kursit të këmbimit ditët e fundit guvernatori shpjegoi se gjithçka vjen si pasojë e kërkesës së tregut ndërkohë që Banka e Shqipërisë ende nuk ka bërë blerje për këtë vit.
“Gjatë 2024, BSH ka tërhequr nga tregu rreth 1 miliard euro për efekt të rezervës valutore por edhe për ndërhyrje në kursin e këmbimit për ta stabilizuar”, tha Sejko.
/abcnews.al

