Infektoi gruan dhe fëmijët, avokati dyshohet ta ketë shpërndarë koronavirusin në 1000 persona

schedule22:57 - 4 Mars, 2020

schedule 22:57 - 4 Mars, 2020

Të paktën 1000 persona që mund të kenë rënë në kontakt me një avokat në Nju Jork janë urdhëruar që të vetë-izolohen. Sipas raportimeve avokati në fjalë ka infektuar bashkëshorten, dy fëmijët dhe një fqinj.

Në total, në SHBA rezultojnë 137 raste të konfirmuara me COVID-19 ndërsa numri i personave që kanë humbur jetën është nëntë.

Avokati 50-vjeçar, i cili jeton në Westchester dhe i duhet të udhëtojë deri në Manhattan ku ka firmën ligjore, u konfirmua si rasti i dytë ditën e martë. Nga ana tjetër Kalifornia regjistroi vdekjen e parë të mërkurën pasi një pacient me probleme të tjera shëndetësore nuk mundi ta fitonte betejen për jetën.

Autoritetet e Shëndetit në Los Angeles, ku banojnë rreth 10 milionë persona, kanë shpallur emergjencën shëndetësore pasi u zbuluan 6 raste të reja në më pak se 48 orë.

Edhe rastet e Nju Jorkut u rritën në gjashtë të mërkurën pasi familja e avokatit rezultoi të ishte pozitive me koronavirusin.

Në të gjithë botën raportohet të jenë 95,040 raste të konfirmuara me koronavirusin nga të cilët 3,249 kanë humbur jetën dhe 51,433 të tjerë janë shëruar plotësisht./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!