Indinjatë ndërkombëtare për përsëritjen e zgjedhjeve në Stamboll

schedule23:22 - 7 Maj, 2019

schedule 23:22 - 7 Maj, 2019

Vendimi i komisionit elektoral turk për të përsëritur zgjedhjet lokale në Stamboll ka shkaktuar indinjatë ndërkombëtare. Vendet lider të BE-së i kanë bërë thirrje Ankarasë që të respektojë parimet e demokracisë dhe jo të rrëshqasë drejt diktaturës.

Bashkimi Europian dhe shtetet kryesore anëtare kanë kritikuar ashpër vendimin e autoriteteve turke për të përsëritur zgjedhjet për Bashkinë e Stambollit, pas fitores së opozitës.

Një zëdhënës i BE-së i ka bërë thirrje strukturës elektorale të Turqisë që të sqarojë pa u vonuar vendimin e kontestuar. Ndërsa ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass e ka quajtur përsëritjen e zgjedhjeve një vendim të pakuptueshëm.

Lëvizja është kritikuar gjithashtu nga qeveria franceze, që ka kërkuar nga Ankaraja zyrtare të bëjë transparencë të menjëhershme, si dhe nga euro-deputeti belg Gaj Ferhofshtad, i cili ka deklaruar se në këtë mënyrë Turqia po rrëshqet drejt diktaturës dhe nuk ka shanse që të hapë bisedimet e anëtarësimit.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Recep Taip Erdogan muajin e kaluar humbi zgjedhjet në qytetin më të madh të Turqisë me një diferencë të ngushtë dhe kreu i shtetit refuzoi të pranonte rezultatin.

Ai pretendon se gjatë procesit ka patur parregullësi dhe e cilëson votimin të pavlefshëm. Vendimi për të përsëritur zgjedhjet më 23 Qershor shkaktoi protesta në mbarë Stambollin ditën e hënë.

Disa qindra persona u mblodhën në zona të ndryshme të qytetit duke ngritur e duke thirrur parulla kundër qeverisë. Ndërkohë, kandidati i opozitës, i cili u shpall fitues, i zhveshur nga të gjitha kompetencat, e quajti lëvizjen e pushtetit qendror një “pabesi”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!