Indi-Pakistan, tension mes fuqive bërthamore

schedule23:30 - 27 Shkurt, 2019

schedule 23:30 - 27 Shkurt, 2019

Rrezikojnë të përshkallëzohen tensionet mes Pakistanit dhe Indisë për kontrollin e Kashmirit. Rrëzimi i dy avionëve luftarakë ka acaruar marrëdhëniet mes 2 fuqive bërthamore dhe situata rrezikon të dalë jashtë kontrollit.

Rrëzimi i dy avionëve ushtarakë dhe kapja e një prej pilotëve ka shënuar përshkallëzimin e situatës së tensionuar mes Pakistanit dhe Indisë. Avionët u rrëzuan nga ushtria pakistaneze, ndërkohë që pala indiane pretendon se ka humbur vetëm një “MiG-21” dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të pilotit të saj. India dhe Pakistani, dy shtete të pajisura me arsenal bërthamor, pretendojnë secila kontrollin e Kashmirit, por kontrollojnë të dyja vetëm disa pjesë të këtij rajoni.

Dy vendet kanë zhvilluar tre luftëra që nga pavarësia nga Britania dhe ndarja në vitin 1947 dhe vetëm njëra prej tyre ka qenë për Kashmirin. Sulmet ajrore përtej Linjës së Kontrollit, siç njihet vija që ndan territorin indian nga ai pakistanez janë të parat që prej konfliktit të vitit 1971. Ato pasojnë një sulm militant në Kashmir, ku humbën jetën 40 trupa ushtarake indiane. Bëhet fjalë për sulmin më fatal të ndodhur në tre dekada rebelim kundër sundimit indian në Kashmir, që u mor përsipër nga një grup pakistanez.

Korrespondenti i BBC në Nju Delhi raporton se sfida reale për Indinë dhe Pakistanin tani është vetëpërmbajtja ndaj përshkallëzimit, përpara se gjërat të dalin jashtë kontrollit. Si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga Rusia ka patur apele drejtuar dy palëve që të tregohen të moderuara dhe të zgjidhin problemin përmes dialogut. Duke reaguar kryeministri pakistanez u shpreh i hapur për dialog me Indinë në lidhje me terrorizmin dhe paralajmëroi rrezikun që vjen nga përshkallëzimi.

“Nëse e lejojmë të ndodhë, atëherë konflikti nuk do të jetë më në duart tona”, tha Imran Khan. Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Indisë, Sushma Suaraj deklaroi se, as India nuk dëshiron një degradim të mëtejshëm të situatës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!