Incidenti me arbitrin në Delvinë, reagon Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë

schedule13:55 - 20 Dhjetor, 2020

schedule 13:55 - 20 Dhjetor, 2020

Një ngjarje e rëndë u regjistrua ditën e djeshme në Delvinë, aty ku vendasit u përballën me Albpetrolin, ndeshje e vlefshme për grupin B të Kategorisë së Dytë.

Një person (A.H) gjuajti me gurë nga jashtë stadiumit, duke goditur dhe dëmtuar në kokë Elis Pulajn, një nga gjyqtarët anësorë të sfidës dhe më pas arriti të largohej pa e kapur forcat e pranishme të policisë.

Në lidhje me këtë çështje së fundmi ka reaguar Bashkimi Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, që kërkon reagimin e autoriteteve dhe u bën thirrje klubeve për shmangien e dhunës.

REAGIMI – Bashkimi Arbitrave Shqiptarë të Futbollit shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e ndodhur dje në ndeshjen e Kategorisë së Dytë, Delvina-Albpetroli, dhe dënon sulmin e dhunshëm ndaj gjyqtarit Elis Pulaj.

BASHF shpreh solidaritetin më të fortë me gjyqtarin Pulaj dhe, duke i uruar atij shërim sa më të shpejtë, kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve kompetente për ndalimin e autorëve të dhunës dhe vënies para përgjegjësisë penale.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje klubeve të futbollit që të marrin të gjitha masat për të parandaluar akte të tillë të turpshme. Ne nxisim lojën “fair-play” dhe theksojmë me forcë se dhuna nuk ka vend në futboll. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!