Incidentet raciste/ “Starbucks” mbyll filialet në gjithë Amerikën

schedule23:28 - 17 Prill, 2018

schedule 23:28 - 17 Prill, 2018

Pak ditë pas incidentit me sfond racist, menaxherët e kompanisë së njohur të kafeneve “Starbucks” kanë vendosur të mbyllin 8 mijë filiale në nivel kombëtar.

Zinxhiri i kafeneve “Starbucks” pritet të mbyllë mbi 8 mijë filiale në Shtetet e Bashkuara, për të trajnuar stafin me qëllim parandalimin e incidenteve racore, sikurse ndodhi pak ditë më parë. Sipas mediave amerikane, do të jetë një nga pasditet e muajit të ardhshëm dita kur dyqanet ku mund të marrësh kafenë me vete do të ulin qepenët, për të marrë leksione kundër diskriminimit.

Lëvizja vjen pasi kompanisë iu desh të kërkonte ndjesë në lidhje me arrestimin e dy të rinjve me ngjyrë javën e kaluar, të cilët po prisnin një shokun e tyre në një nga pikat e “Starbucks” në Filadelfia. Shefi i kompanisë deklaroi se e kishte kuptuar gabimin dhe se duhet të ecnin përpara për ta ndrequr atë. Kevin Johnson tha se dy ditët e fundit kishte qenë në Filadelfia për t’u njohur nga afër me incidentin. “Edhe pse diçka e tillë nuk ka ndodhur vetëm në “Starbucks”, ne jemi të vendosur t’i japim zgjidhje problemit.

Mbyllja e dyqaneve është vetëm hapi i parë i një udhëtimi që kërkon përkushtim nga punonjësit e çdo niveli të kompanisë, në partneritet me komunitetet”, tha Johnson. Kështu, të gjitha pikat dhe zyrat e gjigandit të kafesë do të mbyllen pasditen e 29 majit dhe rreth 175 mijë anëtarë të personelit do të marrin leksione në mënyrë që episodi racist të mos përsëritet më. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!