ELBASAN- Mëngjesin e të hënës Prokuroria dhe Policia e Elbasanit kontrolluan banesat e 14 personave.
Operacioni u ndërmor në kuadër të hetimeve për inceneratorin e qytetit.
Një procedim i regjistruar vitin e shkuar fillimisht për veprën penale të zjarrëvënies pasi fusha e mbetjeve urbane në Elbasan u përfshi nga flakët.
Gjatë hetimeve Prokuroria ka evidentuar elementë të mundshëm të shpërdorimit të detyrës, çka ka zgjeruar natyrën dhe objektin e hetimeve.
Operacioni është shtrirë në të gjithë qarkun e Elbasanit.
Kontrollet e kryera kishin për qëllim grumbullimin e provave të reja dhe ndriçimin e plotë të veprimtarive të dyshimta që lidhen me ndërtimin, funksionimin dhe administrimin e inceneratorit.
Sipas burimeve nga Prokuroria e Elbasanit është kontrolluar banesa e Leli Kaja administratori i Eco-Elb si dhe 7 drejtuesve teknik në bashkitë e Qarkut.
Kontrolle janë kryer dhe në banesat e mbikëqyrësve të kontratës me Eco-Elb. Deri tani, autoritetet nuk kanë njoftuar nëse ka persona të ndaluar apo masa të tjera procedurale ndaj të dyshuarve. Ndërkohë hetimet po vijojnë./abcnews.al/