Inaugurohet terminali më i madh në botë

schedule14:32 - 25 Shtator, 2019

schedule 14:32 - 25 Shtator, 2019

Është inauguruar në Pekin terminali më i madh në botë. Parashikohet që aeroporti ndërkombëtar i Daxing në vitin 2021 të presë 45 milionë pasagjerë. Për ndërtimin e aeroportit janë dashur 4  vjet punë dhe më shumë se 10 miliardë euro.

Presidenti kinez, XI Jinping, inauguroi aeroportin e Daxing, në kryeqytetin kinez, i cili ka kushtuar 10.2 miliardë euro dhe u realizua pas më shumë se katër vitesh punë mbi një projekt të arkitektit Zaha Hadid, që u nda nga jeta në vitin 2016.

Terminali i ri është menduar për të lehtësuar presionin në aeroportin kryesor të kryeqytetit, aeroporti ndërkombëtar i Pekinit, aeroporti i dytë në botë në vitin 2018 për sa i përket trafikut ajror, pas atij  të Atalantës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aeroporti i Daxing, i cili ndodhet 46 kilometra në jug të qendrës së Pekinit, sipas të dhënave të fundit do të jetë në gjendje të presë 45 milionë pasagjerë në vit duke filluar nga viti 2021, dhe 72 milionë pasagjerë në vitin 2025, duke mundësuar 630 mijë fluturime.

Objektivi afatgjatë është realizimi i trafikut ajror me më shumë se 100 milion pasagjerë në vit. Aeroporti i ri është zyrtarisht në funksion duke nisur nga e mërkura, pak ditë para festimeve për 70 vjetorin e themelimit të Republikës Popullore kineze, pasi ditët e fundit dhe testet e fundit ishin të suksesshme./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!