Imunologu Italian: Varianti Delta rrezikon të shkaktojë numër të madh vdekjesh tek të pavaksinuarit

schedule22:16 - 21 Qershor, 2021

schedule 22:16 - 21 Qershor, 2021

Nëse varianti delta i koronavirusit vijon të përhapet me këto ritme, numri i vdekjeve mund të jetë i lartë. Ky është shqetësimi që ka shprehur imunologu italian Guido Forni.

“Ka shumë gjasa që kjo të ndodhë. Varianti gjendet tashmë në Britaninë e Madhe, pra afër.”

Sipas mjekut personat që janë të vaksinuar me të dyja dozat janë të mbrojtur, por problemi qëndron tek ata që nuk janë imunizuar ende.

Duke folur për Corriere della Sera, Forni shpjegoi se zgjidhja do të ishte vaksinimi të gjithë popullatës. Sipas imunologut, rreziku nga mutacionet nuk mund të eliminohet nëse shpërndarja e vaksinave nëpër botë nuk është uniforme.

“Është e nevojshme që të furnizohen të gjitha shtetet përmes organizatave ndërkombëtare jo vetëm për një çështje humanitare por gjithashtu sepse është thelbësore të bllokohet virusi kudo dhe të parandalojmë ndryshimin e tij. Sars-CoV-2 gjithmonë do të përpiqet të fitojë avantazhe mbi ne dhe sa më shumë që e lëmë të shumohet, aq më shumë do të përpiqet të ndryshojë.”

Nga ana tjetër, Forni ka dyshime në lidhje me mundësinë e heqjes së maskës në ambientet e jashtme.

“Më duket se nuk është koha më e mirë për të hequr maskën. Është ‘bezdisëse’, por shpëton jetë.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!