Importonin kokainë nga Holanda, goditet banda shqiptaro-arabe

schedule19:00 - 3 Korrik, 2018

schedule 19:00 - 3 Korrik, 2018

Autoritetet italiane kanë asgjësuar një organizatë kriminale shqiptaro-arabe, që importonte kokainë nga Holanda dhe e shpërndante në rajonet e Toskanës, Emilias, Lombardisë dhe në Siçili. Hetuesit kanë dokumentuar se shqiptarët dhe arabët aderonin në një grup të përbashkët me strukturë piramidale.

Karabinierët në Itali kanë ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të së martës operacionin e koduar “Pylli i Fshehtë”, që ka çuar në asgjësimin e një organizate kriminale shqiptaro-arabe. Sipas mediave italiane, operacioni i koordinuar nga Drejtoria Rajonale e Antimafias së Bolonjës është finalizuar me arrestimin e 22 personave, që importonin lëndë narkotike nga Holanda dhe e shpërndanin në qytetet Firence, Piza, Pistoia, Parma, Modena, Ferrara, Breshia dhe Agrixhento.

Sipas burimeve mediatike, hetimet mbi këtë grup kriminal kishin nisur në vitin 2016, pasi dy prindër denoncuan tek karabinierët djalin e tyre që shantazhohej nga disa shpërndarës droge. Që atëherë, përmes operacioneve të ndryshme, hetuesit arritën të binin në gjurmët e organizatës, duke zbuluar se krahu arab drejtohej nga Mohamed Jarmuni, ndërsa ai shqiptar përbëhej nga shtetasit Dëfrim, Enver, Haxhi dhe Besnik Dervishi, të afërm mes tyre; si dhe shtetasit Klodian Alushku, Olsi Iviku, Shpëtim Fili, Shkëlzen Cani, Arian Temaj dhe Festim Hoxhaj.

Kontaktet intensive mes personave të hetuar kanë treguar sipas hetuesve përkatësinë e përbashkët në një organizatë kriminale hierarkike, e shpërndarë në zona të ndryshme gjeografike. Sipas autoriteteve, arabi Mohamed Jarmuni kishte vendosur një marrëdhënie solide me shqiptarin Dëfrim Dervishi dhe ishte i gatshëm të bënte ulje të çmimit të mallit, me qëllim që të garantonte fluksin e parave.

Hetuesit kanë konstatuar se kokaina blihej në Holandë me një çmim nën 35 mijë euro kilja, ndërsa në zonat e shpërndarjes shitej nga 80 deri në 120 euro për gram, në varësi të cilësisë. Gjatë operacionit të së martës janë sekuestruar 7 kilogramë kokainë dhe 28 mijë euro para të thata. Në aksion u angazhuan 140 efektivë, 3 njësi me qen policie dhe 1 helikopter.//abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!