Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka vendosur të shtyjë deri në 31 Dhjetor hyrjen në fuqi të vendimit të qeverisë që ndalon hyrjen e makinave të prodhuara para vitit 2009. Ky ndryshim është bërë që t’i mundësojë tregëtarëve zhdoganimin e të gjitha automjeteve që hyjnë në territorin e Shqipërisë deri në fund të këtij viti.
Rreth dy javë pasi i mbajti shënim ankesat e tregtarëve të automjeteve doli me një vendim.
“Shtyrjen e afatit të hyrjes në fuqi të kësaj vendimmarrje. Nga data 28 Shkurt 2019 që ishte në VKM 633, afati shkon në datën 31 Dhjetor 2019”, deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ligji i miratuar në Tetorin e vitit të kaluar vendoste kufizime lidhur me importet e makinave të përdorura me vjetërsi mbi 10 vjet. Ky ndryshim i ri i qeverisë i jep mundësi tregtarëve të zhdoganojnë automjetet e blera deri në 31 Dhjetor të vitit të shkuar. Ministrja Balluku njoftoi dhe vendosjen e standardeve të reja për emetimin e gazrave.
“Automjetet e përdorura që do të futen në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të përmbushin kushtet teknike Euro 4, ndërkohë që automjetet me kilometrazh 0 duhet të përmbushin kushtet Euro 5 dhe Euro 6”, tha ajo.
Kërkesat për ndryshime në ligjin për makinat e importuara kanë ardhur fillimisht nga qytetarët përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al./abcnews.al