Imazhet e reja tregojnë balona spiune kineze mbi Azi

schedule15:30 - 26 Qershor, 2023

schedule 15:30 - 26 Qershor, 2023

Dëshmi të reja të programit të balonave spiune të Kinës, duke përfshirë fluturimet mbi Japoni dhe Tajvan  janë zbuluar nga BBC. Japonia ka konfirmuar se balonat kanë fluturuar mbi territorin e saj dhe ka thënë se është e gatshme t’i rrëzojë ato në të ardhmen.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë u trazuan në fillim të këtij viti, kur një balonë e supozuar spiune kineze u rrëzua në brigjet e SHBA-së.

Kina pretendoi se balona e parë mbi veri-perëndim të SHBA-së në fund të janarit përdorej për kërkime shkencore si meteorologjia  dhe se ishte një ngjarje e paqëllimshme dhe e izoluar.

John Culver, një ish-analist i Azisë Lindore për CIA-n, tha se kjo nuk kishte ndodhur vetëm një herë, por ishte një përpjekje e vazhdueshme që daton të paktën pesë vjet më parë”.

Ai tha se balonat kineze ishin projektuar posaçërisht për këto misione dhe disa me sa duket kishin qarkulluar rreth globit.

Duke punuar me Synthetaic, një kompani e inteligjencës artificiale e cila analizoi sasi të mëdha të dhënash të marra nga satelitët, BBC ka gjetur imazhe të shumta të balonave që kalojnë Azinë Lindore.

Themeluesi i kompanisë, Corey Jaskolski, gjeti prova të një balone që kalonte Japoninë veriore në fillim të shtatorit 2021. Këto imazhe nuk janë publikuar më parë.

Jaskolski beson gjithashtu se provat tregojnë se balona është lëshuar nga Kina, në jug të Mongolisë.

Japonia është një aleat i ngushtë i SHBA-së dhe më shumë forca amerikane janë të vendosura atje se në çdo vend tjetër të huaj.

Yuko Murakami, nga ministria japoneze e mbrojtjes, tha për BBC-në se qeveria po merrte të gjitha masat paraprake për të monitoruar situatën dhe madje do të ishte e gatshme të rrëzonte balona për të mbrojtur jetën dhe pronën e njerëzve në territorin e Japonisë.

Departamenti Amerikan i Shtetit beson se balonat kineze janë të pajisura për të mbledhur sinjale të inteligjencës.

/abcnews.al