TIRANË – Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është thirrur sot në Prokurorinë e Posacme.
Meta ka mbërritur në ambjentet e SPAK rreth orës 10:00. Ende nuk dihen arsyet e thirrjes së ish Presidentit Meta në Prokurorinë e Posacme.
Në një prononcim shkurt për mediat para hyrjes në SPAK, Meta nuk dha detaje se përse është thirrur sot nga Prokurorët e Posacëm, ndërsa theksoi se do të flasë menjëherë sapo të dalë.
Ndaj ish-Presidentit, sot kryetar i Partisë së Lirisë janë depozituar disa kallëzime.
Një kallëzim është depozituar në qershor të vitit të kaluar nga ish deputeti Halit Valteri për pastrim parash dhe fshehjen e pronësisë së godinës së LSI-së. Po ashtu SPAK ka regjistruar një procedim penal për çështjen e lobimit në SHBA me 670 mijë USD para të padeklaruara nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, në bazë të një kallëzimi të bërë nga ish deputeti Halit Valteri.
Një tjetër procedim penal, i nisur nga kallëzimi i avokatit Idajet Beqirit, është regjistruar për shërbime estetike nga Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta në një klinikë në San Marino dhe Austri me para të padeklaruara. Kujtojmë sakaq, se në në prill të vitit 2022, SPAK ka rihapur dosjen e CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike./abcnews.al