Avokati Romeo Kara thotë se kreu i Partisë së Lirisë, ish presidenti Ilir Meta mund të fajësojë Monika Kryemadhin për lobimin e LSI në SHBA.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Kara u shpreh se Meta ka folur në seancë, ndryshe nga Kryemadhi, e cila ka vendosur të heshtë.
Ndër të tjera, Kara shtoi se për dosjen “CEZ DIA”, shumë shpejt mund të kemi komunikimin e akuzës dhe se Meta rrezikon minimumi 15 vite burgim.
“Mendoj që është çështje në hetim. Këto takime dhe seanca pyetjesh janë normale. Sigurisht që e paskan vlerësuar që të flasin atje, mund të kishte bërë si bashkëshortja e tij. Meta ka qenë në diskursin e tij të mëparshëm, që ai ka folur dhe Monika jo. Logjika më thotë që mund të kemi shkarkim përgjegjësish. U mundua ta përdorë si kartë politike. Fakti që thotë, unë kam folur dhe Monika nuk ka folur, duke pasur parasysh edhe deklarimet e mëparshme, mendoj se mund të kemi rast të tillë.
Duke parë materialin që u ofrua nga prokuroria, ata janë shprehur se zotëria i ka kryer këto vepra penale. Mendoj se jemi afër komunikimit të akuzës. Unë them minimumi 15 vjet. Unë e kam kallëzuar Berishën bashkë me Metën. Berisha ka qenë në dijeni.”, theksoi ai./abcnews.al