Ballkani do të presë Dinamo Zagrebin në “Fadil Vokrri”, një emër të njohur të futbollit ballkanik dhe jo vetëm, në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.
Trajneri i kampionëve të Kosovës, Ilir Daja doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi kundërshtarin, megjithatë theksoi se ekipi i tij do të respektojë mbi të gjitha veten kur të zbresë në fushë.
Sa e vështirë do të jetë përballja ndaj Dinamos së Zagrebit?
Për ecurinë e Dinamos dhe nivelin që ka, nuk duhet folur shumë, pasi është një klub me eksperiencë të jashtëzakonshme dhe është përfaqësuesja më e mirë e kampionatit të Kroacisë, një vend që ka qenë edhe nënkampion bote. E kemi ndjekur ecurinë e tyre, pasi kemi pasur më shumë kohë dhe mund t’u them se janë favoritët kryesorë, bashkë me Viktoria Plzen, për të kaluar grupin, por duke pasur edhe suportin e tifozëve tanë, besoj që nuk do të kemi nevojë për motivim dhe do të menaxhojmë emocionet, për të bërë një ndeshje të mirë. Jemi përgatitur mirë dhe shpresojmë që nesër të bëjmë diçka të bukur.
Si është gjendja e skuadrës në prag të kësaj sfide?
Kemi një lojtar që është në dyshim dhe do ta ndajmë mendjen në seancën e sotme. Bëhet fjalë për një lojtar të rëndësishëm, që shpresojmë ta kemi nesër, por edhe dje kemi punuar pa e llogaritur në formacion. Mendoj që e kemi gjendjen e mirë si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në atë fizik, pasi kemi ritëm shumë të mirë në kampionat, me 6 fitore dhe një barazim. Kemi bërë shumë mirë në kampionat dhe shpresojmë që atë ritëm ta tregojmë edhe ndaj Dinamos.
Ju gëzon mungesa e sulmuesit Petkovic te Dinamo e Zagrebit?
Edhe në një ekip si Dinamo e Zagrebit ka një farë hierarkie sa i përket cilësisë së futbollistëve, por me gjendjen që ata kanë, nuk ndikohen shumë nga mungesat. Ata kanë kontigjent që mund ta përballojnë shumë mirë mungesën e një, dy apo më shumë lojtarëve, pasi kanë shumë cilësi edhe në stol.
Sa ndikon eksperienca më e madhe në këto nivele?
Luajmë për herë të dytë në grupet e Ligën e Konferencës dhe në aspektin e eksperiencës jemi shumë më mirë. Megjithatë na janë larguar shumë lojtarë cilësorë në një afat shumë të afërt, pasi nuk kemi më Rrahmanin e Korenicën që janë larguar dhe Emërllahun të dëmtuar. Kanë qenë liderë të skuadrës, ndaj është e vështirë t’i zëvendësosh. Kemi eksperiencë më shumë krahasuar me një vit më parë, por lojtarët që kanë ardhur, duan kohën e vet që të zëvendësojnë këto pika të forta që kemi pasur në ekip.
A është Dinamo e Zagrebit kundërshtari më i fortë me të cilin jeni përballur?
Besoj që është nga kundërshtarët më të vështirë që kemi pasur. Unë jam përballur me ata edhe kur isha te Skënderbeu dhe mund të them se hyn në tre kundërshtarët më të vështirë me të cilët kemi luajtur.
A do të luani në sulm, apo do keni një tjetër strategji loje për ndeshjen me kroatët?
Nuk kam qejf të hy në detaje për të folur për mënyrën e lojës, pasi do ta interpretojnë keq. Ne kemi një stil loje tonin, që nuk e ndryshojmë dot brenda pak ditësh. Ne do të luajmë si Ballkani që ka luajtur gjatë gjithë kohës dhe është përplasur ballazi me çdo kundërshtar. Do të mbrojmë kur duhet të mbrohemi dhe të sulmojmë kur të jetë momenti. Ndonjëherë edhe kundërshtari ta imponon mënyrën e lojës, gjithsesi ne do të respektojmë Dinamon, por nuk do të heqim dorë as nga respekti për veten, pasi përfaqësojmë futbollin e Kosovës dhe jemi i vetmi ekip që marrim pjesë për herë të dytë radhazi në grupe.
A besoni se Ballkani mund të kualifikohet edhe përtej fazës së grupeve?
Duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi futja në grupe dhe kalimi i tyre, do një analizë më të gjerë. Duhet të bëjmë hap gradual dhe jo të menjëhershëm. Sezonin e kaluar kemi qenë ekipi me koeficientin më të vogël në historinë e Ligën e Konferencës, por duhet t’i marrim gjërat hap pas hapi. Ne punojmë për të bërë më të mirën e mundshme, për të përfaqësuar denjësisht futbollin e Kosovës./ h.ll/abcnews.al