Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako është betuar për një mandat të parë në krye të këtij institucioni. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe paraardhësi i saj, Vangjush Dako.
Valbona Sako është betuar për një mandat të parë në krye të bashkisë së Durrësit, duke u bërë në këtë mënyrë femra e parë që drejton qytetin e dytë për nga rëndësia.
Në ceremoninë e mbajtur në godinën e prefekturës mori pjesë kryebashkiaku për tre mandate radhazi Vangjush Dako, ministrja e Shtetit per Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, prefekti i Durrësit Roland Nasto, deputetë socialistë etj.
Sako në fjalën e saj të parë si kryebashkiake falenderoi Dakon, duke thënë se ndjehet e emocionuar, por edhe e vlerësuar që këtë detyrë e merr nga ai.
Në këtë mbledhje u krye edhe konstituimi i Këshillit të Ri Bashkiak, ku u procedua me zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Ani Dyrmishi dhe betimin e 51 anëtarëve të rinj. /ABC News Albania 24/7