Igli Tare akuzon gjyqtarin pas humbjes së Lazios në fushën e Milanit. Drejtori sportiv shqiptar u shpreh se rezultati nuk u vendos nga fusha e lojës.
Ishte si një finale dhe tensioni pritej, por jo i tillë. Milan-Lazio në “San Siro” vendoste jo pak për kualifikimin në Champions dhe presioni psikologjik mbi nervat e lojtarëve kaloi kufirin normal.
Ishin dy momente, i pari një pretendim penalltie nga ana e Lazios, pas duelit në zonë mes Rodrigezit e Milinkoviç-Saviçit, dhe pastaj një festim i padenjë i dy lojtarëve milanistë me fanellën e dhuruar nga futbollisti i Lazios, Acerbi.
Pas veprimit të fundit, plasi sherri në fushën e lojës, një ngjarje e shëmtuar sidomos për një kampionat të nivelit dhe famës së Serisë A. Gjykata Sportive kërkoi materialet filmike për të nisur hetimin dhe për të dhënë dënimet.
Milani fitoi falë një penalltie të drejtë, shkaktuar nga Riza Durmishaj ndaj Muzakios, pra nga një shqiptar i Suedisë ndaj një arbëreshi.
Autori i golit ishte Franck Kessie që ekzekutoi me gjakftohtësi përballë Strakoshës. Portieri shqiptar shpëtoi Lazion nga pësimi i ndonjë goli tjetër me pritjet e tij. Në fund të ndeshjes doli në skenë shqiptari tjetër, Igli Tare.
Ai ishte tepër i zemëruar me arbitrin Rocchi që, sipas tij, mezi priti për të dhënë penalltitë e Milanit, duke sinjalizuar edhe këtë episod në zonë, më pas të anuluar nga VAR-i. Për drejtorin sportiv të Lazios gjithçka ishte e qartë.
“Kjo ishte histori e një vdekjeje të paralajmëruar, – tha drejtori sportiv lacial, – pikërisht, gjëja që i trembeshim përpara ndeshjes. Na vjen keq që humbëm një ndeshje që e luajtëm shumë mirë, sidomos në pjesën e parë. Shpresonim që ndeshja të vendosej në fushë, por ishim viktimë e VAR-it dhe e gjykimit. Penalltia e Milanit edhe jepej, por gjithashtu ishte penallti për ne, pasi ishte ndërhyrje e rrezikshme në zonë. Duket se në Itali dinë ta dallojnë rëndësinë e klubeve”.
Gazetat sportive italiane i bënë jehonë polemikave.
“Il Corriere dello Sport”: Stuhi Championsi! Milani mund Lazion 1-0 dhe shkëputet, ka polemika për penalltinë e padhënë për Milinkoviçin!
“La Gazeta dello Sport”: Po, Kessie! Për Milanin, finalja ndaj Lazios, 1-0! Provë bindëse e kuqezinjve me penallti në fund, por Tare akuzon arbitrin!
Pas kësaj ndeshjeje, Milani ka 55 pikë, duke qenë në vend të katërt 1 pikë mbi Romën, ndërsa Lazio mbeti prapa me 49 pikë, kur duhen edhe 6 javë deri në përfundim./abcnews.al

