Arsenali humbi 1-2 ndaj Wolves ditën e diel, teksa përplasja kokë më kokë mes David Luiz dhe Luis Jimenez krijoi panik të madh në minutat e para të takimit. Sulmuesi meksikan i “Ujqve” humbi ndjenjat dhe përfundoi menjëherë në spital, duke mos evituar dot operacionin në kokë.
Një debat i madh po bëhet në Angli në lidhje me këtë rast. Të shumtë janë ata që mendojnë se duhet futur zëvendësimi i përkohshëm në futboll, që shihet si zgjidhja ideale për dëmtimet e shumta që ndodhin te lojtarë të ndryshëm. Opsion që mbështetet nga trajneri i Arsenalit.
“Ndoshta ka ardhur momenti ta mendojmë seriozisht këtë mundësi. Duhet të përdorim një zëvendësim të përkohshëm për t’i dhënë mundësi lojtarit të dëmtuar të marrë veten dhe të rikthehet sërish në fushë.
Një gjë e tillë ndodh dhe lejohet në sportet e tjera. Është një sugjerim për të mbrojtur futbollistët. Ka raste kur është e nevojshme një kohë prej disa minutash për të vendosur më mirë nëse i dëmtuari mund të kthehet.
Lojtarët duan gjithmonë të rikthehen në fushë, pranojnë të luajnë edhe të dëmtuar, por është mjeku që vendos. Ne mund të fusim një tjetër lojtar në vend të tij momentalisht. Nuk është e drejtë që një skuadër të luajë 10 apo 15 minuta me një lojtar më pak”, deklaron Mikel Arteta. /abcnews.al