TIRANË– Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit që zhvilloi me drejtuesit politikë në qarqe u pyet nga gazetarët për shprehjen e interesit nga dhëndri i Donald Trump për të investuar në Ishullin e Sazanit.
Ai tha se ideja e këtij projekti nuk ka zanafillë të tanishme, por ka qenë që para se Rama të bëhej kryeministër i Shqipërisë.
Shefi i qeverisë tha se oferta e Jared Kushner është fantastike, ndërsa shtoi se do të shqyrtojnë atë sipas ligjit, duke përfaqësuar interesin e publikut shqiptar.
“Ideja e këtij projekti ka lindur para se unë të bëhesha kryeministër. Sot kemi në tavolinë një ofertë fantastike, të cilën do ta shqyrtojmë sipas ligjit. Ne do ta shqyrtojmë si përfaqësuesit e denjë të popullit shqiptar, që nuk negociojnë interesa personale, por interesat e publikut në çdo hap, siç kemi bërë me Portin e Durrësit, ku publiku është pjesë e atij investimi””, tha ai./ n.m.abcnews.al