I riu shqiptar që studion në Amerikë, Anastas Pagouna ka krijuar një aplikacion, i cili është kualifikuar në 5 më të mirët. Aplikacioni i tij u shpall si më i votuari nga publiku, duke bërë që të shpallej fitues. Në një lidhje me Skype për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku tregoi se si lindi ideja për këtë aplikacion.
Ai tregoi se aplikacioni ka për qëllim lehtësimin e tregut të punës. Ai thotë se nisi pas një bisede që po zhvillonte me shokun e tij për papunësinë. “Ne duam të krijojmë një aplikacion me një algoritëm që sjell aftësitë e profesionistëve të rinj dhe i bashkon me një biznes që ta bëjë më të lehtë.”, tha Anastasi.
Ndërkohë, nëna e tij në një lidhje nga Shqipëria, Olga Kalimera tregoi emocionet për këtë triumf të djalit dhe gjithashtu mbështetjen gjatë kërkesës për të votuar djalin e saj. “Mora një gëzim të madh. Jo vetëm se djali doli i pari. Ishte diçka që mua më bëri të ndihem shumë e lumtur.
Nuk mund ta shpjegoj atë ndjeshmëri që mora kur kishim të drejtë për të votuar idenë e tij.”, tha ajo. Ai ndjek studimet në një nga universitetet më të mira në SHBA për biologji molekulare. Ai tha se dëshira për të studiuar në këtë fushë lindi që kur ishte 12 vjeç, kur kreu ekzaminime pas një dëmtimi në këmbë.
E ëma e tij tregoi se në fillim mjekët kishin dyshuar për kancer. “Gjatë një stërvitje kur bënte basketboll në Gjirokastër, këmba pësoi një krisje që doktorët nuk e kuptuan. Gjendja shkoi shumë keq saqë nuk ecte. Shkuam për ekzaminime në Janinë dhe na thanë gjënë më të keqe por gjërat shkuan mirë.“, tregoi nëna e tij. /abcnews.al