Pasi gjeti golin e parë me PSG-në në mesjavë kundër Galatasarayt në Champions, Mauro Icardi shënoi edhe në kampionat në fitoren e djeshme të PSG-së me rezultatin 4-0 kundër Angersit të vendit të dytë. Gëzim i dyfishtë për sulmuesin argjentinas, i cili gjen rrugën e rrjetës për herë të parë në kampionatin francez.
Icardi nuk e fshehu kënaqësinë e shijes së golit në një prononcim për Bein Sports, teksa vlerëson shumë edhe faktin që po aktivizohet si titullar nga trajneri Tuchel.
“Ishte një kënaqësi e madhe të shënoja, sepse nuk kisha arritur ende të gjeja golin në Parc des Princes. Kishte rëndësi edhe fakti që e nisa si titullar, më jep besim diçka e tillë. Jemi një skuadër shumë e fortë dhe e bashkuar. Angersit i pëlqen të luajë në kundërsulm dhe ishim përgatitur për diçka të tillë. Mendoj se e merituam fitoren”, thekson Mauro Icardi. /abcnews.al