Shkëndija e Tetovës fitoi 1-0 në shtëpi kundër Akademija Pandev, duke hedhur një hap të madh drejt fitimit të titullit kampion, kjo edhe falë humbjes së Shkupit.
Kuqezinjtë iu falën golit të Besart Ibraimit në minutat e para të pjesës së dytë (53′). Ky ishte goli i 19-të sezonal në kampionat për 34-vjeçarin, i cili kryeson renditjen e golashënuesve më të mirë.
Miqtë e mbyllën ndeshjen me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Nikola Serafimov (54′). 62 pikë për ekipin e Ernest Gjokës, 13 më shumë se Shkupi ndjekës.
Bardhekaltrit u befasuan në kryeqytet nga Belasica, që fitoi 0-1. Benjamin Demir shënoi golin e fitores për ekipin mik në minutën e 11-të. 1-1 përfundoi ndeshja Vardar-Renova. Pikë e mirë për objektivin mbijetesë për ekipin nga Tetova.
I njëjti rezultat u regjistrua edhe në duelin Struga Trim Lum-Rabotnicki, dy skuadra që po garojnë për një biletë në Europa League.
Filip Milenkovski kaloi në avantazh ekipin shqiptar në pjesën e parë, por Rabotnicki gjeti golin në fraksionin e dytë të ndeshjes dhe evitoi humbjen. /abcnews.al