Ibrahimaj: Shqipëria gati për të dalë në Eurobond, pagat do vazhdojnë të rriten në mandatin e tretë

schedule12:51 - 13 Tetor, 2021

schedule 12:51 - 13 Tetor, 2021

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj deklaroi se Shqipëria është gati për të dalë në Eurobond në fund të muajit tetor për të siguruar një huamarrje që do të sigurojë mbështetje buxhetore. Ajo u shpreh se gjatë mbledhjes së ditës së sotme, është miratuar vendimi për eksportet dhe importet si pjesë e nismës “Open Balkan”.

“Vlera e financuar ka ardhur në rritje por interesi i bondit ka ardhur në ulje. Ndër vite kemi krijuar një ekonomi më të qëndrueshme dhe më të besueshme për tregjet. Jemi gati për të dalë në treg në fund të muajit Tetor. Tregjet kanë pasur problematika për shkak të krizës energjetike apo edhe për shkak të sinjaleve nga ekonomia globale.

Jemi besimplotë që kushtet janë të favorshëm për të dalë brenda këtij viti në Eurobond për një huamarrje për t’u përdorur për mbështetje buxhetore. Kemi miratuar dy projekt vendime të tjera për bashkëpunimin për eksportet dhe importet në Ballkan që lidhet me nisëm “Open Ballkan”. Ka të bëjë me lehtësinë e tregtisë siç edhe thuhet në emrin e tij. Memorandumi vjen si suport i subjekteve që operojnë në Shqipëri dhe tregtojnë në Maqedoni dhe Serbi”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo theksoi se ekonomia shqiptare ka ardhur në përmirësim dhe ka treguar stabilitet duke shtuar se pagat janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten sipas programit të paraqitur për katër vitet e ardhshme.

“Projektvendimi i tretë lidhet me dhënien me qira të një objekt në Vlorë për një investim strategjik. Ne prej dy javësh kemi pasur diskutime të nivelit teknik kryesisht. Ndajmë një mendim që ekonomia shqiptare ka ardhur në përmirësim dhe ka treguar stabilitet. Dhe gjithashtu i ka potencialet për të përballuar krizën energjetike. Nuk ka pasur ende rritje të normës së interesit. Ka pasur disa rritje të çmimeve. Pagat janë rritur dhe do vazhdojnë të rriten sipas programit të paraqitur për katër vitet e ardhshme”, deklaroi ajo. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!