Ibrahimaj: Pas reformës për rritjen e pagave, rishikim dhe për pensionet

schedule15:36 - 7 Prill, 2023

schedule 15:36 - 7 Prill, 2023

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj në një intervistë të dhënë për ABC News ka bërë me dije se menjëherë pas mbylljes së reformës për rritjen e pagave do të rishikohet mundësia për rritjen e pensioneve.

Ndër të tjera ministrja është shprehur se të ardhurat që mblidhen nga taksa e jashtëzakonshme do të vijojë që të shpërndahet në formë bonusi për kategori të caktuara.

“Kjo nuk është e mjaftueshme dhe siç e kemi menduar prej kohesh jemi duke menduar dhe rritjen e pensioneve dhe çdo gjë duhet të bëhet në kohën e vet. Të gjithë qeveritë do të donin rritjen e pagave dhe të pensioneve por jo bëhet në momentin e duhur. Menjëherë pas reformës së rritjes së pagave do fillojmë dhe sugjerimet për pensionet. Gjatë muajit prill siç premtuam po shpërndajmë taksën e jashtëzakonshme për pensionistët me bonusin prej 5 mijë lekësh. Siç e kemi anoncuar dhe më parë të ardhurat e taksës së jashtëzakonshme do të shpërndahet në formë bonusi për shtresa të caktuara”, ka thënë ajo.

LEXO EDHE: Paga e administratës/ Ibrahimaj shpjegon fazat: Deri në 2024 do ketë rritje nga 30-61%

Ndërkohë pyetjes nëse qeveria ka një plan për rritjen e pagave në sektorin privat, ku është shprehur se në shumë biznese rritja e pagave ka filluar para qeverisë dhe shumë biznese sipas saj nuk kanë më një pagë minimale 34 mijë lekë.

“Në fakt e gjithë reforma filloi të materializohet me vendimin e parë që ne menduam me atë të rritjes së pagës minimale, nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë një vendim që nuk u mor rastësisht por u diskutua me grupet e interesit me sektorë të ndryshëm ku vetë biznesi ishte dakord me këtë. Biznesi vetë prej kohësh ka filluar që ti rrisë pagat vetë dhe konkurrenca e biznesit për kapital njerëzor ka pësuar rritje, vendimi për rritje është marrë para. Niveli i pagës minimale nuk do të rrije në nivelin 40 mijë lekë do të rritet sërish për të arritur në 45 mijë lekë në 2025.

Rritja e pagës minimale në vend është bërë me shumë kujdes pasi është bërë një studim në lidhje me ato biznese që nuk e kanë një mundësi të tillë dhe shpenzimet e personelit i kanë më të larta. Kështu bashkë me këtë rritje kemi miratuar dhe një vendim për subvencionimin për kategoritë e bizneseve që pagat i kanë më të larta se niveli i shpenzimeve. Parashikojmë se 31 mijë të përfitojnë nga kjo mënyrë. Përveç kësaj kemi nisur dhe një fushatë me bizneset që mesataren e kanë më të lartë, pasi besojmë fort se pjesë e nivelit të ulët mesatare ka të bëjë me informalitetin gri, me nëndeklarimin e pagave. siç është në sektorin e ndërtimit që deklarohen me pagë minimale por në të vërtetë paguhen me dyfish”, ka thënë ndër të tjera ministrja./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!