Zlatan Ibrahimovic shprehu para pak ditësh dëshirën për t’u transferuar te Napoli dhe në qytetin jugor italian kanë nisur të ëndërrojnë. Pavarësisht 38 viteve mbi supe, gjiganti suedez mbetet një lojtar i madh, i fortë dhe golashënues i frikshëm.
Edoardo Reja është pyetur në lidhje me transferimin e sulmuesit të famshëm në “San Paolo”. 74-vjeçari e vlerëson shumë lojtarin, teksa zgjedh këto fjalë në prononcimin e dhënë për Radio Marte.
“Ibra është i fortë dhe pikë. Ancelotti e njeh më mirë se unë dhe do të vendosë për blerjen apo jo të tij. Gjithsesi duhet parë se në çfarë forme vjen dhe çfarë lloj menaxhimi i duhet bërë këtij ylli. Sigurisht, ardhja e Ibres do të galvanizonte jashtëzakonisht ambientin e Napolit“, përfundon trajneri i Shqipërisë. /abcnews.al