Ibra: Shpirti dhe mentaliteti i duhur, ndihem i ri. Maldini më bën “presion”

schedule20:57 - 21 Mars, 2021

schedule 20:57 - 21 Mars, 2021

Zlatan Ibrahimovic u rikthye te goli. Sulmuesi suedez shënoi golin e parë në fitoren 2-3 që arriti Milani në fushën e Fiorentinës, teksa kjo ishte rrjeta e 15-të sezonale në Serie A. 39-vjeçari foli pas ndeshjes rreth fitores në Firence, rikthimit në kombëtare dhe rinovimit me Milanin.

FITORJA – “Fitorja e sotme ishte shumë e rëndësishme, luajtëm me shpirtin dhe mentalitetin e duhur. Treguam karakter në fushë dhe nuk u dorëzuam as kur kaluam në disavantazh. Unë po marr përgjegjësitë e mia, duke ndihmuar skuadrën brenda dhe jashtë fushave. Djemtë reaguan shumë mirë sot, duhet të vazhdojmë përpara në të njëjtën mënyrë. Tani është periudha e pushimit, por jo për të gjithë…”

SUEDIA – “Dëshira ime ishte të vazhdoja të luaja, gjithçka tjetër është ekstra për mua. Jam i nderuar që do të rikthehem të vesh përsëri fanellën e Suedisë. Kam biseduar pak me trajnerin, u treguam të drejtpërdrejtë dhe ai vendosi të më ftonte. Mosha? Lërëni këtë muhabet, unë ndihem i ri. Sa më shumë që kalojnë ditët, aq më mirë ndihem”.

RINOVIMI – “Maldini më vë nën presion, por unë dua të shoh atë që bëj në fushë. Duhet të tregoj se e meritoj rinovimin me Milanin. Unë dhe Paolo kemi një raport të shkëlqyer. Nuk duhet të nxitohemi në lidhje me rinovimin, gjithçka është nën kontroll”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!