Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka vlerësuar maksimalisht Zlatan Ibrahimovic, pasi ky i fundit kapërceu shifrën e 500 golave në karrierën e tij për klube. Në prag të përballjes me Sevillan në Kupën e Mbretit, timonieri i katalanasve u ndal dhe tek suedezi dhe sipas tij bomberi i Milanit meriton gjithçka.
“Nuk jam i befasuar aspak nga Ibrahimovic, pasi kam punuar më parë me të tek Ajax. Cilësitë e tij ishin të dukshme që në atë kohë. Zlatan ka provuar të jetë një nga sulmuesit më të mirë në Serie A, pavarësisht moshës së tij”, deklaron holandezi.
“Ai ka një mentalitet fituesi dhe më vjen mirë ta shikoj që ka arritur kaq shumë me klube të ndryshme. Ibrahimovic meriton gjithçka”, përfundon Koeman. Kujtojmë që 39-vjeçari gjeti golin e 500 dhe 501 në karrierën tij për klube në ndeshjen kundër Crotones, ku shënoi dy herë në fitoren 4-0. /abcnews.al