I vuri gjurin në grykë derisa i mori jetën një afro-amerikani, vihet në pranga polici

schedule20:18 - 29 Maj, 2020

schedule 20:18 - 29 Maj, 2020

Ish oficeri i policisë në Minneapolis, i cili shihet ndërsa i vendos gjurin në qafë afro-amerikanit 46-vjeçar, është vënë në pranga. Lajmin e ka konfirmuar për mediat komisioneri i Sigurisë Publike në Minesota, John Harrington.

Derek Chauvin, u pushua nga puna të hënën bashkë me tre policë të tjerë  të cilët u filmuan teksa mbanin të shtrirë në tokë 46-vjeçarin George Floyd, i cili më pas ndërroi jetë, shkruan abcnews.al

Një video e publikuar së fundmi tregon sesi tre oficerë të policisë në Minneapolis mbajnë për toke George Floyd-in i cili humbi jetën më vonë. Në pamjet në fjalë, Floyd mund të dëgjohet teksa u thotë oficerëve të policisë se nuk po arrin që të marrë frymë.

“Ju lutem, ju lutem, më lini që të çohem,” dëgjohet teksa përgjërohet Floyd ndërsa policët qëndrojnë sipër tij duke e mbajtur shtrirë në tokë.

Kush është Derek Chauvin?

Derek Chauvin është polici që shihet ndërsa i vendos gjurin në grykë George Floyd-it derisa ky i fundit humbi ndjenjat dhe më pas ndërroi jetë. Veprimi i tij ka shkaktuar një valë revoltash në SHBA, të cilat vazhdojnë që pas ngjarjes së rëndë.

Forca të shumta policore janë detyruar që të rrethojnë shtëpinë e tij në mënyrë që ta mbronin nga zemërimi i turmave që qëndronin jashtë.

Agjenti Chauvin është një veteran i Minneapolis të cilin e ndjek pas një reputacion jo fort i mirë gjatë dy dekadave si oficer policie. Dosja e tij përfshin një sërë ankesash për përdorim të tepruar dhune ndaj të ndaluarve. Këtë radhë, sjellja e tij rezultoi fatale për Floyd, i cili ishte një mik i afërt me Stephen Jackson, një ish lojtar i NBA.

Përpara vdekjes së George Floyd-it, oficeri kishte të paktën 18 ankesa të depozituara kundër tij tek zyra e departamentit të policisë në Minneapolis për Punët e Brendshme. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!