I vuri flakën një gruaje në metro, 33 vjeçari nën akuzë për vrasje e zjarrvënie

schedule20:38 - 27 Dhjetor, 2024

schedule 20:38 - 27 Dhjetor, 2024

Prokurorët e Nju Jorkut njoftuan të premten se kanë ngritur padi ndaj Sebastian Zapetas duke e akuzuar për vrasjen e një gruaje, duke i vënë flakën brenda një vagoni të metrosë së Nju Jorkut. Autoritetet thonë se në ato momentet kur ndodhi ngjarja gruaja, identiteti i së cilës nuk dihet ende, ishte në gjumë.

Treni ishte ndalur në stacionin Coney Island të Bruklinit të dielën në mëngjes. Prokurorët thonë se pasi i vuri flakën viktimës, Zapeta u ul në stol duke e parë atë tek digjej.

“Ky ishte një akt i ligë, ndaj një gruaje të pambrojtur e që flinte në metro”, tha Prokurori i Qarkut të Bruklinit Eric Gonzalez, pas një seance të shkurtër në gjykatë, ku u njoftua aktpadia.

Ai tha se ndaj Zapetës rëndojnë disa akuza për vrasje, si dhe një akuzë për zjarrvënie. Akuza kryesore parashikon një dënim maksimal me burgim të përjetshëm pa të drejtën e lirimit me kusht. Detajet e aktakuzës do të zbardhen më 7 janar.

Zapeta, 33 vjeç, nuk ishte i pranishëm në seancë dhe avokati i tij nuk pranoi të komentonte.

Zyrtarët federalë të imigracionit thanë se Zapeta është një shtetas nga Guatemala, i cili ka hyrë në SHBA në mënyrë të paligjshme. Arrestimi tij u bë më vonë të dielën.

Gjatë marrjes në pyetje në polici, prokurorët thonë se ai pretendoi se nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur, duke thënë se kishte konsumuar alkool. Por ai pranoi se ishte personi që shfaqej në fotot dhe pamje filmike nga kamerat e sigurisë, tek i vinte flakën viktimës.

Në fillim të kësaj jave Zapeta u akuzua për vrasje dhe zjarrvënie. Ky është shpesh hap i parë në një procesin penal, sepse në Nju Jork, të gjitha rastet që lidhen me vepra penale, kërkojnë që aktakuza të ngrihet nga një juri e madhe për të vazhduar me një proces gjyqësor.

Prokurori Gonzalez u tha gazetarëve se autoritetet po punojnë për të identifikuar gruan duke përdorur gjurmët e gishtërinjve dhe teknika të avancuara mbi ADN-në, ndërkohë që po hetojnë rreth lëvizjeve të saj përpara se të vritej.

Sipas zyrtarëve federalë të imigracionit Zapeta ishte dëbuar nga vendi në vitin 2018, por pak kohë më vonë ishte rikthyer sërish në SHBA.

Ngjarja e rëndë ka risjellë edhe një herë në vëmendje debatet rreth sigurisë në sistemin më të madh të transportit masiv të vendit.

Në përgjithësi, krimet në metro janë relativisht të rralla. Trenat dhe platformat përgjithësisht janë po aq të sigurta sa çdo vend tjetër publik në qytetin e Nju Jorkut. Të dhënat e policisë tregojnë se krimet e rënda kanë pësuar rënie këtë vit deri në nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Por në ndryshim numri i vrasjeve është rritur. Gjatë nëntorit u shënuan nëntë vrasje kundrejt pesë që u regjistruan gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kjo shifër nuk përfshin viktimën e së dielës të përfshirë nga flakët, apo një tjetër viktimë që u godit me thikë për vdekje në një stacion metroje në Kuins, në të njëjtën ditë./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!