Tre persona janë arrestuar si autorë të dyshuar të zjarreve që përfshinë fshatrat e Rrogozhinës dhe Kavajës gjatë orëve të fundit. Flakët u përhapën masivisht në sipërfaqe të mëdha në Peqinaj dhe Zhabjak.
Nga hetimet rezultoi se gjatë djegies së mbeturinave nga këta persona në tokat e tyre, zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe me pemë frutore dhe duke shkaktuar djegien e një banese të pabanuar.
Edhe në Fier një 41 vjeçar është arrestuar në flagrancë për zjarrvënie. Sipas uniformave blu, Joni Serjanaj, banues në Mbrostar u kap në flagrancë, nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Fier, duke ndezur zjarr te ura e fshatit Hoxharë e Vjetër. Si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe banorët e zonave rurale që të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave ose mbetjeve bujqësore, si dhe të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara, për të parandaluar rreziqe të tilla për jetën dhe pronën.
Gjithashtu, policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive.

