I vonoi sanduiçin, klienti ekzekuton kamarierin

schedule13:37 - 18 Gusht, 2019

schedule 13:37 - 18 Gusht, 2019

Shërbimi i vonuar i ka kushtuar shtrenjtë një kamarieri në Paris. Ai është ekzekutuar nga një klient i pakënaqur, që pas krimit është larguar nga vendi i ngjarjes. Episodi ka tronditur stafin e lokalit, por dhe banorët e zonës.

Një kamarier në Paris është qëlluar për vdekje nga një klient që ishte irrituar pasi sanduiçi i tij nuk ishte përgatitur shpejt, por ishte vonuar duke e lënë atë në një pritje të gjatë.

Incidenti ka ndodhur në periferinë lindore të kryeqytetit, me policinë që ka deklaruar se ka nisur një hetim për vrasje. Nga mediat franceze mësohet se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk është kapur ende.

Ambulanca që mbërriti në vendin e ngjarjes u përpoq të shpëtonte kamarierin 28-vjeçar, që ishte qëlluar në shpatull, por nuk ia arriti. Kolegët e tij i thanë policisë se klienti kishte humbur kontrollin për shkak të kohës që ishte dashur për të përgatitur porosinë e tij. Vrasja la të shtangur si të pranishmit ashtu edhe banorët e zonës.

“Është shumë e trishtueshme. Ky është një restorant i qetë, pa probleme, që është hapur pak muaj më parë”, tha një banore. Ndërsa qytetarë të tjerë deklaruan se në zonë ka patur një rritje të kriminalitetit, kryesisht për shkak të drogës dhe konsumimit të pijeve alkoolike në rrugë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!