Bashkëshortja e Enea Ftoit që humbi jetën në komisariatin e Korçës ka kallëzuar penalisht tre policë, të cilët sipas saj kanë dhunuar deri në vdekje të shoqin. Ajo thotë se përveç shenjave të dhunës, në trup 27-vjeçarit i kanë bërë edhe gjilpëra. Për rastin po heton Prokuroria e Korçës, ndërsa për efektivët nuk është marre ende asnjë masë administrative.
Në shtëpinë e marrë me qira, familjarët e Enea Ftoit presin ngushëllime sipas traditës. 27-vjeçari u përcoll, me protestë pasditen e së premtes për në banesën e fundit, duke lënë në mjerim bashkëshorten dhe tre vajza të mitura, 6, 5 dhe 1 vjeçe. Varfëria e familjes Ftoi peshon po aq shumë sa vdekja e 27-vjeçarit, për të cilën të afërmit akuzojnë efektivët e policisë së Komisariatit të Korçës. E papunë dhe pa profesion, bashkëshortja 21-vjeçare e Ftoit, thotë se asistenca prej 2.500 lekë të reja, nuk mjafton as për qeranë e apartamentit.
Entela Ftoi: “Jemi pa shtëpi, pa katandi. Ku të mbytem me tre fëmijët, ku të mbytem. Nuk vranë vetëm jetën e tij. Më vranë edhe fëmijët dhe mua”.
Në Drejtorinë e Policisë së Korçës, bashkëshortja e Eneas ka bërë kallëzim, për tre efektivët, të cilët i konsideron përgjegjës për dhunën dhe keqtrajtimin e 27-vjeçarit, gjatë tre ditëve të qëndrimit në Komisariat.
Entela Ftoi: “Për Alqin, Kreshnikun dhe Gurin, që ai iu bënte gjilpërat. Guri që është shefi i dhomave të sigurisë atje. Këta diitën e parë që e kishin zënë e kishin rrahur në Pazar. Janë policë. Ai përveç shenjave të të rrahurës kishte dhe tre shenja gjilpërash”.
Prokuroria e Korçës thotë se po vijon hetimet për rastin dhe është në pritje të përgjigjeve të ekspertizës mjeko-ligjore dhe ekspertimit të pamjeve të kamerave të sekuestruara në Komisariat. Edhe pse rastet e dhunës në Komisariatin e Korçës janë të përsëritura, ndaj efektivëve përgjegjës për episodet e dhunës ndaj të shoqëruarve nuk është marrë asnjë masë administrative nga Drejtoria e Policisë./abcnews.al