I riu shqiptar përfundon pas hekurave

schedule10:11 - 18 Janar, 2019

schedule 10:11 - 18 Janar, 2019

Një i ri shqiptar u dënua në Britaninë e Madhe pasi u kap me kokainë dhe me një sasi të konsiderueshme parash me vete. Endrit Vishaj, 18 vjeç, deklaroi në gjykatë se e mori drogën në Londër. Ai u arrestua më 27 Nëntor të vitit të kaluar.

Korrieri shqiptar po priste në një parkim makinash në Bilston për udhëzime kur kuptoi se po ndiqej nga policia. Adoleshenti u mundua të largohej me shpejtësi nga makina e tij “BMW”, por u arrestua pas një ndjekjeje të shkurtër në këmbë. Kur autoritetet i kontrolluan makinën gjendën dy kilogramë kokainë të ndara në dy pako në një çantë, ndërsa në një tjetër çantë gjetën 55.000 Paund brenda.

Për dërgesën, Vishaj do të paguhej 1000 Paund. Avokati mbrojtës i adoleshentit, Gerry Bermingham, tha se atij i ishte dhënë makina dhe telefoni nga i njëjti person që i kishte dorëzuar drogën. Ai sqaroi më tej se Vishaj kishte emigruar ilegalisht në Britaninë e Madhe duke u futur fshehurazi në një kamion.

“Kërkoi azil në moshën 16-vjeçare. Mori një ndihmë prej 57 Paund në javë dhe shkoi në kolegj për të mësuar anglisht. Nuk kishte para dhe i kërkoi një burri që t’i jepte hua. Ky i tha që do t’ia jepte vetëm nëse bënte një punë. Nga nevoja ai pranoi. Vishaj është më shumë i përdorur se sa përdorues në këtë rast”, u shpreh avokati.

Më tej ai sqaroi se, “Vishaj po priste udhëzime pasi mori drogën në Londër dhe paratë nga një person që erdhi me makinë në Bilston. I riu po priste të merrte vesh se ku do të shkonte, kur kuptoi se po ndiqej nga policia”.

Përpara gjykatës, Endrit Vishaj pranoi fajin për posedim kokaine me qëllim shpërndarjen. Ai u dënua me 4 vjet e 4 muaj heqje dhe do ta vuajë dënimin në një burg për të rinj.   /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!