I qëlluan shtëpinë me automatik, Juxhin Kulla emër i njohur për policinë

schedule14:05 - 31 Gusht, 2019

schedule 14:05 - 31 Gusht, 2019

 

Juxhin Kulla në dëshminë e tij në policinë e Korçës ka mohuar të ketë konflikte pas të shtënave me armë drejt banesës së tij të premten në mbrëmje . Ndërsa po hetohet për të kaluarën e 34 vjeçarit pasi ai është  një person i njohur për policinë në fushën e narkotikëve.

34 vjeçari Juxhin Kulla, shtëpia e të cilit u qëllua me armë një natë më parë, ka mbyllur gojën para policisë, duke mohuar të jetë i përfshirë në konflikte.

Abc News ka mësuar se pas të shtënave me breshëri në banesën e tij, ka qenë vetë 34 vjeçari që ka njoftuar policinë për ngjarjen.

Kulla, një person i dënuar brenda dhe jashtë vendit për trafik narkotikësh, nuk i ka dhënë policisë asnjë informacion të vlefshëm, që do çonte drejt identifikimit të autorëve.

Grupi hetimor ka konstatuar disa gjurmë predhash në muret e banesës së Kullës, që dyshohet se janë qitur nga një automatik, ndërsa  po verifikohen pamjet e kamerave të sigurisë së shtëpisë.

Errësira ka ndihmuar autorët të largohen me mjetin e tyre. Policia e Korçës, i ka përqendruar hetimet në pistën e konflikteve të vjetra, ku dyshohet se është përfshirë Kulla vitet e fundit.

Juxhin Kulla është emër i njohur për policinë e Korçës, e cila e ka arrestuar dy herë për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Tre vite më parë, gjatë një operacioni antidrogë Kulla akuzoi nen drejtorin e policisë dhe shefin e antidrogës për ushtrim dhune, çështje e cila u pushua nga Prokuroria e Korçës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!