I priti penallti, rrëfehet Copparoni: Maradona unik, e mbysnin në shkelma e s’fliste

schedule17:28 - 26 Nëntor, 2020

schedule 17:28 - 26 Nëntor, 2020

Renato Copparoni është një emër që pak persona e mbajnë mend. 68-vjeçari italian luante si portier në rininë e tij, duke ia dalë të aktivizohej në Serie A me klube si Cagliari, Torino dhe Hellas Verona. Një kryevepër e ka bërë dhe ajo është pritja e një penalltie kundër Diego Armando Maradonës, gjeniut dhe artistit unik të topit, njeriut që i lumturonte të gjithë dhe mbronte gjithmonë më të dobëtit.

Ylli argjentinas, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme, luante me Napolin dhe ishte futbollisti më i mirë në planet. Ishte 2 marsi i vitit 1986 dhe luhej një sfidë e Kupës së Italisë me Napolit dhe Torinos. Mes shtyllave të ekipit granata ndodhej Copparoni, i cili i priste një penallti Maradonës në atë takim.

Moment i paharrueshëm, që italiani e kujton me kënaqësi dhe modesti. “Përjetova një arritje të madhe sportive. Ama, më duhet ta pranoj: nuk ishte një pritje e shkëlqyer nga ana ime“. Kanë kaluar 34 vite, por Copparoni e kujton atë episod sikur të kishte ndodhur dje në prononcimin e dhënë për Gianlucadimarzio.com.

Merita nuk kërkon, “nuk shërbeu për asgjë, pasi po humbnim 3-1“, teksa zbulon edhe sekretin se si ia doli të frenonte yllin argjentinas. “Portierët në kohën time nuk kishin shumë mundësi për të studiuar kundërshtarët. Nëse të dielën luaje në shtëpi ishe me fat, pasi në darkë mund të shihje ‘Domenica Sportiva’.

Dy javë para 2 marsit pata fatin të shihja Maradonën duke i shënuar Interit me penallti. Në portë ndodhej Walter Zenga, i cili u hodh përpara goditjes. Diego e kuptoi, ndryshoi krahun e gjuajtjes në momentin e fundit dhe shënoi.  Unë e ndava mendjen dhe vendosa të mos hidhem pa gjuajtur Diego, duke shpresuar që këmba e tij e vogël të mos më mashtrojë.

Rezistova, fluturova në krahun e djathtë dhe ia prita penalltinë. A festova? Aspak, ishim duke humbur ndeshjen. Trajneri më tha pas ndeshjes: ‘I dashur Coppa, ke hyrë në histori me këtë pritje‘. Një penallti e pritur është si një gol i shënuar, edhe pse ndeshjen e fitoi Napoli. Kanë kaluar 34 vite, por njerëzit akoma ma kujtojnë atë pritje. Mbetet arritja më e madhe në karrierën time…

Copparoni vazhdon edhe më tej, duke treguar se çfarë i tha Maradona në fund të ndeshjes, teksa thekson se nuk ka parë kurrë një futbollist si legjenda argjentinase. “Edhe unë mund të gaboj, njeri si të tjerët jam“, më tha me një vështrim që nuk kishte farë arrogancë, por vetëm vetëdije për atë që kishte ndodhur. Një gjë më ka bërë gjithmonë përshtypje te Maradona.

Pësonte shkelma pafund dhe gjithmonë çohej menjëherë pa thënë asnjë fjalë. Nuk kam parë kurrë një futbollist të tillë. Nuk ankohej, ashtu i dëmtuar ekzekutonte goditjen e dënimit. Në shumicën e rasteve e dërgonte topin në rrjetë“, përfundon Renato Copparoni, ish-portieri që mund të krenohet si i ka pritur penallti “Zotit” të futbollit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!