Ky është Ergys Dashi, 34-vjeçari nga Durrësi që u vra të shtunën mbrëma në Guayaquil të Ekuadorit. Në drejtim të Dashit u qëllua me breshëri plumbash dhe ai gjeti vdekjen në vend. Në restorantin ku ai po darkonte në Avenue José Joaquín Orrantia, u futën dy autorët dhe hapën zjarr në drejtim të tij.
Një prej tyre mbante një buqetë me lule në dorë, kurse tjetri qëlloi në drejtim të 34-vjeçarit i cili mori disa plumba në pjesën ballore të kafkës. Fillimisht ata u ndaluan në hyrje të lokalit nga personeli që u kërkoi certifikatë vaksinimi, por këta të fundit u detyruan të tërhiqen pasi panë se burrat ishin të armatosur.
Pasi kryen ekzekutimin, autorët u larguan me motor dhe hapën sërish zjarr në drejtim të restorantit.
Dyshohet që shkak për ekzekutimin e 34-vjeçarit të jetë e shkuara e tij në trafikun e drogës.
Dashi ka qenë i arrestuar më parë në Itali si një nga “kokat” e një organizate kriminale. Ai u vu në pranga më 18 shtator të vitit 2014 bashkë me 31 persona të tjerë pas goditjes së një organizate kriminale e trafikut të drogës e cila drejtohej nga shqiptarët.
Organizata kriminale në të cilën bënte pjesë Dashi menaxhonte trafikun e drogës. Sasi të mëdha të lëndëve narkotike bliheshin me shumicë në Shqipëri, Spanjë e Bolivi dhe më pas shpërndaheshin në të gjithë Italinë. Organizata kriminale në fjalë fitonte 60,000 dhe 70,000 € në muaj.
Kurse akuzat ndaj Ergys Dashit ishin ato të bashkëpunimit si një organizatë kriminale e trafikut të lëndëve narkotike, shfrytëzimit të prostitucionit dhe armëmbajtjes pa leje. Në kohën kur u bë operacioni Dashi ishte 25 vjeç dhe banonte në Porto S. Elpidio të Italisë. /abcnews.al/