I pavendosur për ndryshimet në qeveri dhe spastrimet në kryesi, Rama shtyn sërish Asamblenë e PS

schedule21:45 - 8 Shtator, 2020

schedule 21:45 - 8 Shtator, 2020

Nga Esiona Konomi

Pandemia shtyu për muaj marrjen e disa vendimeve të rëndësishme në Kupolën e Partisë Socialiste.

Asambleja e zgjedhur ditën kur në Shqipëri erdhi rasti i parë zyrtar me Covid 19, nuk është mbledhur asnjëherë, dhe prej saj priten dy vendime me rëndësi:

Ndryshimi ose jo i qeverisë si dhe rifreskimi i kryesisë së partisë.

Të dy këto vendime do të merren drejtpërdrejt nga Edi Rama, i cili ja parashtron asamblesë për votim, votim i cili deri më tani nuk ka rrëzuar ndonjë propozim të kryetarit.

Kur Rama mblodhi në Elbasan deputetët, u njoftua se asambleja kombëtare do të mbahej më 4 shtator, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe një datë tjetër u vendos në plan: e premtja e 11 shtatorit.

Por sic mësoi ABC News, as këtë javë nuk do të mblidhet forumi i lartë i socialistëve.

Kështu, Edi Rama as këtë javë nuk është gati t’i thotë familjes së tij politike dhe shqiptarëve, nëse do ta ndryshojë apo jo ekipin qeverisës 7 muaj përpara zgjedhjeve.

E po ashtu, pikëpyetjet ngelen të hapura nëse në kryesinë socialiste Edi Rama do të pranojë apo jo të bashkëjetojë me kritikë si Ditmir Bushati apo Fatmir Xhafaj, teksa në dyshim për të mbijetuar në bërthamën e partisë janë dhe Mimi Kodheli, Niko Peleshi, Valentina Leskaj apo Eglantina Gjermeni. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!