Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, ka folur pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm Agim Veliut, nga kryeministri Albin Kurti.
Mustafa e ka quajtur të papranueshëm shkarkimin e Veliut, duke thënë se kjo është një shkelje e marrëveshjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Përmes një postimi në rrjetin social në facebook, Mustafa ka theksuar se me marrëveshjen ishte përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni.
Ai poashtu i ka kërkuar Kurtit që të heq deri në fund të javës taksën ndaj Serbisë.
Postimi i plotë:
Për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu.
Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit.
Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së.
Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike.
Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës.
Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit./abcnews.al