I pandehur nga SPAK, KPA pezullon gjyqtarin Luan Daci nga detyra

schedule17:08 - 24 Korrik, 2020

schedule 17:08 - 24 Korrik, 2020

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi të pezullojë nga detyra gjyqtarin Luan Daci, për shkak se është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjyqtari Daci do të jetë i pezulluar deri në momentin kur do të ketë një vendim gjyqësor ndaj tij. Gjithashtu, KPA-ja i kërkon SPAK-ut dhe Gjykatave të vijojnë me një proces të shpejtë dhe në përputhje me parashikimet e ligjit.

Por, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, nuk njofton zyrtarisht se çfarë do të ndodhë me proceset gjyqësore, që kanë në përbërje të trupës gjykuese gjyqtarin.

KPA-ja ka dy mundësi:

Ose t’i ngrijë deri në momentin kur të merret vendimi përfundimtar, ose të bëjë zëvendësimin e gjyqtarit Daci, në seancat e Vettingu-t, ku ai është në përbërje të trupës gjykuese.

Janë 44 çështje ku Luan Daci është anëtar i trupave të Vettingu-t për prokuror dhe gjyqtar në Republikën e Shqipërisë.

Luan Daci është marrë zyrtarisht i pandehur për akuzën e “Falsifikim të dokumenteve”.

SPAK pretendon se gjyqtari Daci ka fshehur shkarkimin nga detyra për “paaftësi në punë” në vitin 1997, largim nga detyra i cili mban firmën e ish-presidentit Rexhep Mejdani.

Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme pretendon se gjyqtari Daci nuk e ka deklaruar largimin nga detyra gjatë marrjes në pyetje në Komisionin Parlamentar AD HOK, në vitin 2017.

Deputetja Vasilika Hysi, e ka pyetur Dacin çfarë ka ndodhur në vitin 1997 dhe ai është shprehur se është larguar me dorëheqje.

Por, në shkurt të 2017-ës, ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk ka pranuar ta emërojë Dacin si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, pikërisht për shkarkimin e vitit 1997.

Njoftimi

Pas vënies në dijeni nga vetë gjyqtar Luan Daci, për marrjen e tij në cilësinë e të pandehurit nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua sot Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila, me vendimin nr. 14, datë 24.07.2020, në zbatim të nenit C, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, të nenit 128, pika 3, germa “b”, të nenit 179, pika 7, si dhe të nenit 179/b, pikat 5 dhe 6 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendosi:

1. Pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, z. Luan Daci.

2.Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në funksion të ushtrimit të veprimtarisë normale të tij, duke respektuar pavarësinë dhe paanësinë e organeve proceduese, si dhe parimin e prezumimit të pafajësisë për gjyqtarin Luan Daci, u kërkon organeve proceduese të vijojnë me një proces të shpejtë, në përputhje me parashikimet e ligjit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. (vendimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve)./abcnews.al