Nën masa të rrepta sigurie Nuredin Dumani është transferuar nga spitali i Traumës në spitalin e Burgut në QSUT. Kanë qenë dy grupe të FNSH që kanë bërë transportimin e Dumanit rreth orës 18:35. Abcnews.al ka siguruar me pamje momentin kur është bërë transportimi i tij.
Në spitalin e Traumës në Tiranë prej ditësh, Nuredin Dumani është njohur këtë të shtunë me masën e tretë të sigurisë. Gjykata e Elbasanit i ka komunikuar “arrestin në burg” për ngjarjen e 17 shtatorit të 2020, në një lokal në Bradashesh. Dumani akuzohet për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela.
35 vjeçari është njohur gjithashtu me masën e arrestit në burg të kërkuar nga SPAK të premten, në seancën e zhvilluar po në ambientet e Traumës. Akuza lidhet me vrasjen e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë të kryera dy vite më parë në Durrës.
Lexo edhe: Çfarë iu gjet në makinë Nuredin Dumanit? Mjeti drejtohej prej tij, nuk iu kundërpërgjigj zjarrit
Burg ndaj tij është kërkuar edhe për ngjarjen e 29 marsit në afërsi të fshatit Papër në Elbasan, ku mbeti i plagosur pas një shkëmbimi zjarri. Pas disa orësh atë ditë Dumani u arrestua në Fier, i fshehur në apartamentin e marrë me qira nga miku i tij Henrik Hoxhaj.
Për ndihmën e dhënë ndaj Dumanit, 41 vjeçari është shoqëruar në gjykatën e Elbasanit këtë të shtunë nën masa të rrepta sigurie, por gjatë seancës zgjodhi të heshtte. Ai u la në burg për veprat penale, përkrahje e autorit të krimit, “Vrasje me paramendim mbetur në tentativë” dhe “Armë mbajte pa leje”.
Në gjyq e pandehur ka qenë edhe e dashura e Nuredin Dumanit, Mirjetë Hajdini e cila u arrestua bashkë me të në banesën në Fier. Gjykata vendosi që 20 vjeçaren nga Kosova ta lirojë. Avokati i saj deklaroi se ajo e njihte Dumanin me emër tjetër dhe nuk kishte dijeni për të shkuarën e tij. be.k/abcnews.al