I mbajtën nën vëzhgim, policia: Si e kapëm efektivin e RENEA-s me kokainë

schedule20:33 - 14 Maj, 2021

schedule 20:33 - 14 Maj, 2021

Policia prangosi ditën e sotme në Tiranë një efektiv të RENEA-s dhe dy shokë të tij pasi u kapën me mbi 1 kg kokainë. Por si u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “BARON”? Policia thotë se efektivi Xhulio Liçi 28-vjeç nga Fieri, së bashku me Ded Nimanin 62 vjeç nga Puka dhe Luan Gacin 43 vjeç nga Vora ishin mbajtur nën vëzhgim prej disa javësh pas informacioneve në rrugë operative për përfshirjen në këtë aktivitet të paligjshëm.

Mbi bazën e informacioneve të marra nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë se Ded Nimani 62 vjeç nga Puka dhe Luan Gaci nga Vora në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve konkretisht duke blerë kokainë në sasi 1 deri në 2 kilogramë, dhe më pas duke e shitur atë në zona të ndryshme të Tiranës ,si dhe në kufi me qarkun e Durrësit me qëllim shmangien e prezencës policore, kanë organizuar punën duke i mbajtur nën vëzhgim.

Në aksin rrugor Tiranë -Durrës, rruga e vjetër në zonën e Ndroqit Xhuljo Lici dhe Ded Nimani janë kapur në flagrancë së bashku me Luan Gacin me një pako lëndë narkotike kokainë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike me peshë totale 1 kilogramë e 88 gramë, dy automjete, pesë aparate celular dhe një armë zjarri pistoletë me municion luftarak” njofton policia.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!