I martuar me një kuksiane, Steffen: Duhet të dhuroja fanella, sa keq që luhet pa tifozë

schedule08:20 - 16 Shtator, 2020

schedule 08:20 - 16 Shtator, 2020

“Gruaja ime vjen nga një vend i cili është vetëm një orë larg Kukësit”, kështu e nis prononcimin e tij Renato Steffen, futbollisti zviceran i martuar me Qëndresën. Katër vite njohje dhe verën e shkuar çifti e kurorëzoi lidhjen me martesë.

Qëndresa nuk ndihet mirë që ndeshja do të luhet pa tifozë, pasi të afërmit e saj do e shikonin ndeshjen nga stadiumi. “Gruaja ime mendon se është mëkat që ndeshja zhvillohet pa spektatorë. Disa familjarë të saj do të kishin qenë aty dhe unë do të duhej të kisha bërë gati 30 fanella. Kushërinjtë e saj jetojnë atje dhe do të vinin në stadium”, shprehet Steffen.

“Ajo ndjen keqardhje, por të shohim se çfarë do të organizojë gruaja ime”, shton futbollisti i Wolfsburg me shaka. Ai nuk ndalet me kaq: “Mua më pëlqen mentaliteti i njerëzve atje. Udhëtimi në një vend të tillë në këtë periudhë nuk është aq dramatik. Do të jemi shumë të organizuar, siç ndodhi në Ukrainë me kombëtaren.

Si lojtarë, duhet të marrim përgjegjësitë e duhura për veten. Ky do të jetë një udhëtim interesant, diçka ndryshe. Gjëja e rëndësishme është që të kthehemi me një fitore dhe të kualifikohemi në turin tjetër”, përfundon Steffen, i cili është shok skuadre me Admir Mehmedin dhe në të shkuarën ka qenë në një ekip me Taulant Xhakën te Baseli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!