Mbrëmjen e sotme në “E ardhmja është vajzë”, Xhensila Myrtezaj rrëfeu mes emocionesh periudhën e vështirë që ka kaluar gjatë pandemisë. Këngëtarja zbuloi për herë të parë se kishte kaluar Covid-19 bashkë me të bijën. Ndërkaq, ajo u ndal dhe tek një moment të vështirë që kishte përjetuar pasi ishte shëruar nga virusi teksa po kthehej në Tiranë.
“Ndjeva një goditje shumë të fortë në kraharor, vajzën e kisha pas dhe shtrëngova Besin për një moment. E vetmja gjë që mendova ishte se kaq ishte për mua. Filluan të dridhura të pakontrolluara, oksigjeni iku pothuajse komplet. Jam një person që bëj jetë të shëndetshme dhe nuk kam patur kurrë probleme me shëndetin.
U gjeta përballë një fakti që se kisha përjetuar kurrë. E vetmja që më erdhi ndërmend thashë zot pikërisht pse tani që kam vajzën afër sepse është aq e rritur për të kuptuar se çfarë po ndodh përreth.”, tha këngëtarja. Më tej, Xhensila shtoi se kishte përjetuar atak paniku dhe kjo, sipas mjekëve, kishte ardhur nga gjendja emocionale që kishte përjetuar gjatë pandemisë.
“Falë zotit ishin shumë afër Tiranës edhe shkuam tek “Spitali Amerikan 3”. Të dridhurat vazhdonin dhe i lutesha zotit më lër ta jetoj vajzën dhe Besin, të mos më humbasë mami mua. Dhe ka qenë moment shumë i vështirë se fiks në ato momente nuk po mendoja veten por njerëzit që më duan shumë. Pas analizave, isha shkëlqyeshëm dhe kardiologu më sugjeroi që është panik atak.
Nuk kisha dëgjuar kurrë dhe kjo lidhje me gjendjen psikologjike dhe ndoshta frikrat që kam patur gjatë covidit, shpërthyen në atë moment që nuk e prisja aspak. Kjo më ka bërë të fortë sepse pashë që pavarësisht asaj që më ndodhi e rimora jetën time nën kontroll dhe kurrsesi kjo gjë nuk do të më mundë.”, rrëfeu Xhensila. /abcnews.al