Samuel Eto’o ishte pjesë e Barcelonës gjatë viteve 2004-2009, periudhë në të cilën fitoi gjithçka me ekipin katalanas. Ish-sulmuesi i famshëm njihet për miqësinë e madhe që ka me Leo Messin, yllin argjentinas.
“Pleshti” vendosi të qëndrojë në “Camp Nou” dhe diçka e tillë e ka lumturuar kamerunasin. Në prononcimin e fundit, Eto’o tregon se çfarë i mungon Barcelonës, teksa shpreh bindjen se ish-skuadra e tij do të fitojë titullin e radhës në La Liga.
“Jam shumë i lumtur që ‘djali’ im Messi qëndroi. Por Barcelona, përveç Messit, ka nevojë për 8 lojtarë të tjerë të stilit ‘tiki-taka’ të ekipit. Te Barça mungojnë lojtarët energjikë, të cilët vrapojnë nga njëra zonë në tjetrën.
Dua që të shoh sërish Busquets në nivele të larta. Kur ai luan mirë, Barcelona fiton trofe. Sezoni i fundit nuk ishte pozitiv për të, diçka e tillë u dallua qartë në fushën e blertë.
Barcelona do të fitojë titullin kampion në Spanjë sezonin e ardhshëm. Mbi të gjithë, dua që Mallorca, skuadra ime e zemrës, të kthehet në La Liga sezonin e ardhshëm“, thekson Eto’o. /abcnews.al

