“I lumtur që angazhimi im nis me këtë festë”, Imzot Arjan Dodaj jep mesazhin e parë për Krishtlindje

schedule08:24 - 24 Dhjetor, 2021

schedule 08:24 - 24 Dhjetor, 2021

Imzot George Frendo nga Katedralja e Shën Palit në Tiranë, në një intervistë për gazetaren Bora Shahini, përcolli një mesazh urimi për Krishtlindje përpara se të niset për në vendlindje. Gjatë intervistës që dha për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ai ka kujtuar dhe njohjen e parë me vendin ku do të jetonte për shumë gjatë.

“Nuk po kthehem në vendlindje sepse jam mërzitur, është një vend që e kam dashur dhe më ka dashur shumë, më shumë sesa meritoj. Kur erdha këtu për herë të parë, për një vizitë 10 ditore në 1993, për të parë a do të hapim një mision me Shqipërinë, një gjë që kisha më kishte bërë shumë përshtypje, ishte shpirti mikpritës i popullit. Populli më ka pranuar me shumë dashuri dhe respekt.” tha ai.

Imzot Arjan Dodaj, dha mesazhin e parë pas vendimit të Papa Franceskut për të qenë në krye të Kryedioqezës Tiranë-Durrës. “Jam i lumtur që në prag të festave së bashku t’i përcjellim popullit një mesazh. Krishtlindja në 10 shekuj është bërë festa e të gjithave, ndikon në kontekstin social në jetën e të gjithave. Për mua që jam në prag të një angazhimi më të madh në shërbim të popullit, jam i lumtur që ky angazhim fillon pikërisht me festë.”, tha ai.

Lidhur me vendimin për të qenë drejtues i ri i besimtarëve katolikë për kryedioqezën Tiranë – Durrës, ai tha: “Më ka përcjellë një sens të madh besimi që kisha në figurën e Papa Franceskut. Është ai besimi i madh që kisha ka ndaj meje, ndaj një të riu që është formuar dhe është rritur në etapa të ndryshme të ekzistencës.

Përvoja e emigrimit, drama e shumë situatave që përjetojnë emigrantët edhe sot. Jam tani përballë të rinjve me ndjenjën e shtytjes për t’u larguar dhe më nxit që të jem një ndihmë për të rivlerësuar ata që janë thesari i vendit tonë.”

Në fund, ai dha dhe një mesazh për të gjithë shqiptarët: “Zoti është me ne, përballë çdo drame, krize, situatave sociale, pasojave të pandemisë dhe tërmetit. Ti njeri nuk je kurrë vetëm. Zoti është me ty, bëhet fëmijë, të frymëzon dhe të thërret. Ji ti autori i asaj të mire që kërkon tjetër kund, je ti shtrirja e asaj dore që pretendon nga dikush tjetër.”, tha ai.

/abcnews.al